Përtej lajmeve të dhunës në familje apo diskriminimit, në këtë 8 mars, nuk mungojnë as shembujt frymëzyes. Kryetarja e Bashkisë së Dimalit, e cila u zgjodh në vitin 2015 duke thyer paragjykimet, po përfundon mandatin e saj të tretë e të fundit. Ajo është një shembull frymëzues për të gjithë, veçanërisht për gratë në politikë.
Juliana Memaj përballë telajos së Helidon Halitit jashtë çdo kornize siç dhe qyteti që përfaqëson, ka rrëfyer se si mundi që të fitojë besimin e komunitetit të saj. “Besoj që fati është si ta kërkosh në njëfarë mënyre. Ishin skeptik për mua në fillim të kandidimit në 2015 sepse isha e para femër që kandidoja në një zonë të tillë, aq më tepër që edhe rurale. Por unë e mposhta këtë paragjykim dhe me vetë rezultatin atë kohë,por dhe në faktin që bëmë sëbashku me stafin punë shumë të mira në bashkërendim dhe bashkëpunim me komunitetin. Dhe vetë kryetari në atë kohë që më përzgjodhi si kandidaturë, besoi në kandidaturën time. Unë isha një vajzë që vija nga një familje e thjeshtë, gjithmonë në përpjekje dhe e përkushtuar në punë, e rritur me plot dashuri dhe ajo mbi të gjitha dashuria për njerëzit”, shprehet Memaj.
Kryebashkiakja Memaj beson tek meritokracia dhe shprehet kundër kuotave të lira në listat e partive politike në zgjedhje.
“Besoj te aftësitë dhe meritokracia. Nuk është çështje gjinie të qënurit në një detyrë të caktuar. Sepse në fund të fundit ne jemi të një natyre, pra natyra njerëzore është e njëjtë. Nuk ka lidhje me të qënit burrë apo grua për të qenë e vendour, e guximshme, për të qenë vizionare që janë gjëra që të dyja palët , të dy gjinitë i kanë këto veti. Kemi qenë në një takim që përfaqësoja Shqipërinë në një takim me gratë në Turqi dhe aty theksova në fjalën time që mbajta, që nuk është çështje gjinie të qënurit përfaqësues i një komuniteti. Mua më vjen mirë që në Shqipëria ka një rritje te përfaqësimit të gruas në vendimmarrje, por besoj se dhe kjo në përzgjedhjen që kanë bërë përfaqësuesit që kanë në dorë të përzgjedhin kandidaturat, ka qenë dhe çështje meritokracie, nuk mendoj se është çështje gjinie. Dhe për mua personalisht nuk mendoj se do ishte mirë të kemi kuota në lista.
Në përgjithësi gratë janë më të përkushtuaral Jo se burrat nuk punojnë, por gratë I marrin gjërat pak më seriozisht. Dhe aty në administratë raporti ëhstë pothuajse i drejtë, por ato që janë më të përkushtuara në punë, janë grate”, deklaron Memaj.

Memaj nuk e fsheh dëshirën që këtë kontribut për qytetin dhe komunitetin ta vijojë edhe pas përfundimit të mandatit si kryebashkiake. “Të jesh apo jo pjesë e politikbërjes nuk është vetëm dëshirë e jotja. Gjithsesi unë jam përpjekur të jap më të mirën time në këto vite dhe e them me shpirt që e dua komunitetin që përfaqësoj sepse vërtet janë njerëz të mrekullueshëm. Gjithsesi përpiqem që çdo ditë të bëhem më e ditur, të gjej kohën që të lexoj dhe të fokusohen dhe në një drejtim tjetër, atë të profesionit tim që të mos e lë pas. Unë jam juriste dhe avokate nga profesioni”, deklaron Juliana Memaj.

Krahas projektit të muraleve në qytet që zuri vend në mediat ndërkombëtare, Juliana Memaj, do të mbahet mend edhe për nismën e saj për t’i ndërruar emrin qytetit, nga Ura Vajgurore, në Dimal. “Në fakt ishte një process i gjatë, nuk mund të them shumë i vështirë sepse vetë emri Ura Vajgurore është një emër që vjen nga periudha komuniste, është një emërtim I vendosur në ‘74 nga Komiteti Ekzekutiv i asaj kohe. Por fakti që dhe vete rezervat e vajgurit nuk janë më në territor, e kishte humbur edhe vetë kuptimin. Mua më vjen mirë që falë një procesi ligjor dhe duke u konsultuar dhe me banorët e zones, ne arritëm më në fund që me mbështetjen dhe të qeverisë dhe të Kuvendit, në bazë të ligjit të kishim ndryshimin e emrit në Bashkia Dimal që është një prezencë më dinjitioze sepse përmban në vetvete edhe historinë”, shpfehet ajo.

Por ndryshe nga sa jemi mësuar kur gratë e angazhuara në jetën publike preferojnë të kenë një ose dy fëmijë, Juliana Memaj është nënë e 4 fëmijëve, ndërsa nuk heziton të thotë se do të dëshironte edhe një fëmijë të pestë. “Është gjëja më e bukur që mund t’i ndodhë një nëne ose një familje le të themi. Të kesh fëmijët është gjëja më e bukur dhe unë në fakt mendoj se kam pak katër fëmijë. Ëndrra ime ka qenë te 6 apo 7. Në fakt dëshira ime është që unë të kem një fëmijë të pestë, por bashkëshorti heziton te kjo pjesë. Mendoj se do ia mbush mendjen sepse me këmbënguljen time ia kam arritur këtë. Emrat I ka vendosur kryefamiljari dhe janë emra shumë të bukur, domethënës sepse vijnë dhe nga mitologjia me të cilën të gjithë jemi shumë të dashuruar”, thekson Memaj.