Kryeministri Edi Rama ka vijuar me procesin e rienergjizimit të Partisë Socialiste, ku ndalesa e radhës ishte Berati.

Rama tha se projektet e reja kanë transformuar Beratin, i cili vitin e shkuar kaloi pragun e 800 mijë turistëve. Kreu i qeverisë tha se Shqipëria ka hyrë në një fazë të re të jetës së vetë nga pikëpamja si shtet sepse ka hyrë në fazën e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Europian.

“Sot në Berat kam ardhur pas jo shumë kohësh, por kam marrë një kënaqësi të veçantë për hir të vërtetës sepse shumë nga gjërat që kemi imagjinuar e pastaj projektuar, e pastaj planifikuar për të vënë në zbatim, e pastaj vënë në zbatim ose që janë në zbatim e sipër, kanë filluar të krijojnë pamjen e mozaikut të një Berati që është në një transformim prej të cilit po merr gjithmonë e më shumë rezultat. Në 2023-shin Berati ka kaluar pragun e 800 mijë turistëve. Një shifër që askush nuk do ta imagjinonte dot. Po ashtu, volumi i kredive të marra nga familjet për të investuar në transformimin e banesave tradicionale, karakteristike në bujtina është mbresëlënës. Aktualisht janë 35 bujtina të reja që hap pas hapi do të hapin dyert e janë në proces.

Ajo që është akoma më e kënaqshme është që gjithë ky proces, përveç volumit, ka edhe një qasje shumë të saktë nga pikëpamja e ruajtjes së vlerave të trashëgimisë, por edhe e futjes së të resë me shumë kujdes duke krijuar shije, duke krijuar atraksion.

Ishim me kryetarin tek kantieri i Tregut të Gjelbër të Beratit, që do të ketë 120 vende për prodhimet e fermerëve dhe ndërkohë po aty, diskutuam për vazhdimin e punës me një pikë moderne grumbullimi e përpunimi të vajit të ullirit e përpunimit të ullirit.

Duhet të garantohet zinxhiri i vlerës e për këtë, në këtë rast, duhet të krijohen kushtet optimale që vaji të grumbullohet, të përpunohet e që pastaj fuqia shitëse e prodhuesve të rritet.

Nga ana tjetër, Shqipëria ka hyrë në një fazë të re të jetës së vetë nga pikëpamja e jetës së vetë si shtet sepse ka hyrë në fazën e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Europian, por bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Europian që quhen ndryshe negociata, nuk janë negociata si mes dy palëve që bëjnë biznes apo dy palëve që duan të merren vesh për një çështje të natyrës politike. Janë negociata apo bisedime më saktë që e kanë të përcaktuar rolin e palëve.

Bashkimi Europian thotë duhet të bësh këtë, këtë, këtë e ti nuk mund të thuash “jo, dua të bëj këto të treja, por këto dy të tjerat nuk dua t’i bëj”, sepse  ndryshe nuk anëtarësohesh. E këto detyra janë të vështira dhe faza e bisedimeve nuk është një fazë që përfshin thjesht dhe vetëm detyrat e qeverisë sepse në Bashkimin Europian nuk do hyjë qeveria, do hyjë Shqipëria, e qeveria përfaqëson vetëm një pjesë të aktorëve që përbëjnë sistemin e Shqipërisë. Është qeveria, është Parlamenti, është gjyqësori, por edhe këto të treja bashkë nuk janë e gjitha sepse është sektori publik, por është edhe sektori privat dhe procesi i anëtarësimit ka detyrime të rënda edhe për sektorin privat, për bizneset, për cilësinë, për teknologjinë, për certifikimet, standardet, garancitë. Të gjitha këto kërkojnë lidership, të gjitha këto kërkojnë fuqi e të gjitha këto kërkojnë mbështetje, si shprehje e vetëdijes së shumicës dërrmuese të popullit që po, këto gjëra duhen bërë!

Ne sot kemi një pozicion ndërkombëtar që nuk e kemi patur kurrë. Edhe ky pozicion ndërkombëtar duhet konsoliduar!  Nuk duhet të jetë çështje thjesht e një momenti suksesi të një qeverie në Shqipëri, por duhet të jetë profili i Shqipërisë, profil i konsoliduar i Shqipërisë. Për këto e arsye e mund të numëroj pafund, ne kemi një përgjegjësi shumë të madhe. Kur them ne, them ne socialistët. Ne, Partia Socialiste. Ne jemi këtu për të bërë ç’mos që të bëjmë gjithçka që e sotmja të bëhet më e mirë, por mbi të gjitha të bëjmë të pamundurën që e nesërmja të jetë e garantuar“-tha Rama nga Berati.”-tha Rama.