Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka dhënë mesazh të qartë politikisht se nuk është më Sali Berishën. Kështu u shpreh analisti dhe gazetari Artur Zheji, gjatë diskutimit në studion e Real Story në ABC News.
Ai theksoi se këtë mungesë qartësie Meta e ka manifestuar edhe gjatë kohës kur u bashkua në koalicion me socialistët dhe në drejtimin e parlamentit.
Sipas tij, ai ka pasur një lloj debulesë për Sali Berishën, të cilin e toleronte në veprimet e tij në sallën e Kuvendit.
“E kam pas thënë një shprehje: Ilir Meta i di vetë punët e veta. Ka dhënë një mesazh shumë të qartë se nuk është me Sali Berishën, atë e ka dhënë dhe kur ishte në koalicion me Ramën në 2013, në kohën kur drejtonte Kuvendin, jepte shumë tolerancë për Sali Berishën, aq sa i jepte shqetësim PS, e thoshte se e kam debulesë dhe e kam dobësi atë. Mesazhi qe jep ai politikisht është se nuk është me Sali Berishën dhe me Rithemelimin dhe është duke kalkuluar një lloj opozitarizmi sipas një situatë, që edhe ai nuk e ka të qartë. Ai [Berisha] mund t’i çojë mesazhe sa të duash, por ai nuk shkon”, u shpreh Zheji.
Gazetari Skënder Minxhzoi, thotë se Ilir Meta ka treguar se nuk do të shkojë poshtë ballkonit të Sali Berishës, të paktën aktualisht, pasi për momentin e ka të paqartë prognozën e zhvillimeve politike në Shqipëri.
Ai shtoi se nëse nuk do ketë reformë zgjedhore, Meta mund të bëhet sërish një çadër për Sali Berishën, për t’i dhënë mundësi për të hyrë në zgjedhjet që do mbahen në Shqipëri.
“Jo vetëm nuk shkon te ballkoni, por nuk ka shkuar në protestën e madhe që u zhvillua. Nuk është se ka folur për Berishën, kjo përmendje m’u duke si një afrimin formal i një miqësie, i një raporti, që ka me doktorin dhe nuk qe diçka, e cila do të mbetej në mend. Ai tha se nuk më ka ftuar Flamur Noka. Meta është në një pozicion pritjeje, sepse nuk e ka të qartë prognozën e afërt të ngjarjeve në Shqipëri, është shumë fluide skena në këtë moment dhe ai do të shikojë qartë skenën se ku do të alokohet. Nuk besoj se ende është i gatshëm se nëse nuk do ketë reformën zgjedhore t’ia afrojë dhe njëherë çadrën e vet elektorale Berishë për t’i dhënë një mundësi për të kandiduar. Patjetër, është argument që e prek direkt”, u shpreh ai.