Pas tensioneve në raportet me ndërkombëtaret, kryeministri i Kosovës Albin Kurti mund të ketë pasojat e para. Këtë deklaroi në një intervistë , kreu i PDK, Memli Krasniqi.

“Qysh sot ka pasur raportime në mediat e Kosovës që zoti Kurti nuk i lejohet që të udhëtojë në Shtetët e Bashkuara të Amerikës, njejtë edhe prej shumicës së zyrtarëve të lartë qeveritarë. Është diskutuar që tashëm ka pasur vizita të zyrtarëve shumë të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që kanë qenë këtu dhe nuk janë takuar me Kryeministirin gjë që shënon një ndryshim absolut sepse kjo nuk ka ndodhur kurrë në të kaluarën.”

Duke akuzuar qeverinë se ka dëmtuar raportet me ndërkombëtarët, Krasniqi jep edhe qëndrimin zyrtar për asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Në versionin aktual ky draft i statutit që themelon asociacionin është i papranueshëm për Partinë Demokratike të Kosovës sepse ai cënon rëndë rregullimin tonë kushtetues sepse lejon mundësinë e krijimit të një niveli të ri të pushtetit të ndërmjetëm mes pushtetit qëndror dhe atij lokal.”

Trazirat e fund-shtatorit të vitit të kaluar nuk mund të quhen përfundimtare, rreziku ekziston, por për Krasniqin, nuk duhet alarm.

“E vërteta është se situata e sigurisë në veriun e vendit tonë është e brishtë. Situata problematike të ngjashme, apo të tilla mund të ndodhin edhe më tutje, por nuk është kjo një arsye për të alarmuar situatën edhe mëtutje. Duhet ta kemi parasysh që Kosova nuk është anëtare e NATO-s, por NATO është në Kosovë dhe ka pasur një përforcim të trupave.”

Për kreun e partisë opozitare në Kosovë, Edi Rama dhe Albin Kurti nuk kanë fare komunikim.

“Kurrë nuk ka pasur një pikë më të ulët të bashkëpunimit institucional dhe zyrtar. E vërteta është se ata kanë raporte jashtëzakonisht të ftohta. Nuk besoj që kanë komunikim përtej ndonjë komunikimi formal zyrtarë në evente kryesisht multiratelare.”

Por me kaq kundërshti ndaj qeverisë, pse nuk proteston opozita?

“Kosova ka përvoja shumë të këqija nga demonstratat dhe protestat sepse atio i ka pas tentuar në një formë Lëvizja Vetëvendosje.” (TEMA)