Merr përmasa më tragjike aksidenti i së shtunës në Itali ku humbën jetën shqiptarët Marian Kola, 23 vjeç dhe Blerim Miha, 27 vjeç, si dhe u plagos një 28-vjeçar tjetër po shqiptar.
Mediat italiane shkruajnë se 300 metra nga vendi ku u përplas makina tip BMW, dhe më pas mori flakë, është gjendur edhe trupi i pajetë i një personi të katërt. Ai është një shqiptar 33-vjeçar, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur.
Në këtë mënyrë numri i viktimave nga aksidenti shkon në 3 viktima dhe 1 të plagosur. Ky i fundit ndodhet në spital në gjendje të rëndë.
Trupi i pajetë i 33-vjeçarit u gjet pas denoncimit të bërë nga një grua se nuk kishte kontaktuar më me partnerin e saj, i cili ka qenë në shoqërinë e Kolës e Mihës. Denoncimi çoi sërish karabinierët në vendin e ngjarjes ku gjetën 300 metra nga vendi i aksidentit trupin e pajetë.
Il Messaggero shkruan se dyshimet janë që shkak i këtij aksidenti të jetë bërë shpejtësia e lartë që në momentin e ngjarjes mendohet të ketë qenë 200 kilometra në orë. Përplasja në një bordurë ka bërë që makina të ngrihet në ajër dhe të fluturojë për 50 metra duke përfunduar mes disa pemëve. Më pas është përfshirë në flakë.
Aty janë gjetur të vdekur Kola dhe Miha ndërsa 28-vjeçari ka shpëtuar pasi është hedhur nga mjeti. Deri më tani gjendja e tij mbetet shumë e rëndë. Sa i përket viktimës tjetër të zbuluar së fundmi hetimet do të përcaktojnë se si ka përfunduar aq larg vendit të aksidentit.
Makina tip BMW ku udhëtonin ata rezulton e vjedhur. Të grabitura rezultojnë edhe targat që kishte në përdorim.