“Ne gjithashtu kemi armë të afta për të arritur në territoret tuaja”. Ky kërcënim i Presidentit rus Vladimir Putin për Perëndimin, nuk i lë Shtetet e Bashkuara dhe BE-në indiferente. Kjo sepse NATO nuk është e papërgatitur për mundësinë e vendosjes së armëve bërthamore taktike në kufirin me Bjellorusinë, edhe pse ky arsenal është zvogëluar në mënyrë progresive gjatë dekadave.

Por sa armë bërthamore ndodhen sot në Europë dhe ku janë stacionuar ato?
SHBA vendosi armët e saj bërthamore në bazat e NATO-s pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, duke filluar në vitet 1950. Sipas CFR, Këshilli për Marrëdhëniet me Jashtë (një qendër studimore amerikane e specializuar në politikën e jashtme), armët taktike bërthamore të markës amerikane janë të vendosura në gjashtë baza në pesë vende anëtare të Aleancës: Belgjikë, Gjermani, Itali, Holandë dhe Turqi. Mbretëria e Bashkuar dhe Franca, të cilat kanë arsenalin e tyre bërthamor, nuk kanë më armë amerikane.

Sipas disa ekspertëve, Shtetet e Bashkuara mund të kenë rreth njëqind bomba bërthamore të vendosura në këto gjashtë vende. Megjithatë, arsenali është zvogëluar gjatë viteve pas disa marrëveshjeve për armët bërthamore, veçanërisht falë Traktatit të Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme (INF) në 1987 midis Uashingtonit dhe Moskës. Arsenali bërthamor i SHBA-së në Evropë përbëhet tërësisht nga bomba të gravitetit B61, të dizajnuara për t’u hedhur nga bombarduesit aleatë ose avionët luftarakë. Në shërbim për më shumë se 50 vjet, B61, sipas faqes së internetit të CFR, është arma e fundit taktike bërthamore që ende zotërohet nga SHBA.

Prania e armëve bërthamore në tokën evropiane u vendos për të qetësuar anëtarët e NATO-s, gjatë viteve të Luftës së Ftohtë , në rast të një sulmi të konsideruar shumë të mundshëm nga Bashkimi Sovjetik. Ndërkohë, Moska në krahun tjetër zotëron raketa balistike ndërkontinentale, nëndetëse dhe bombardues të rëndë. Këto armë janë të vendosura në baza të ndryshme ushtarake në territorin e saj të madh.

Megjithatë, analistët nga disa vende të BE-së kanë ngritur prej kohësh dyshime për praninë e armëve bërthamore në Kaliningrad, enklava ruse midis Polonisë dhe Lituanisë. Zyrtarisht, Moska e ka mohuar gjithmonë këtë, megjithëse, sipas CFR, një zyrtar i qeverisë ruse në vitin 2018 konfirmoi dërgimin e raketave “Iskander” me aftësi bërthamore në Kaliningrad.