Në bashkinë e Matit është ngritur qendra e Inovacionit ICT, një hapësirë e dedikuar teknologjisë, duke ju ofruar mundësi fëmijëve të kësaj bashkie që të zhvillojnë trajnime dhe marrin njohuri në tre profile, desing, kodim dhe robotikë.
80 nxënës të bashkisë së Matit janë regjistruar në fazën e parë të kësaj shkolle, duke shfaqur kështu një interes të lartë për të qenë pjesë e kësaj qendre.
Zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku dhe kryetari i Bashkisë së Matit, Agron Malaj vizituan nga afër qendrën e inovacionit, ku nxënësit prezantuan edhe disa prej punimeve të realizuara prej tyre.
Kryebashkiaku Malaj tha se bashkia ka mbështetur këtë qendër, ku interesi i treguar nga të rinjtë vijon të jetë tepër i lartë. “Ne si bashki kemi marrë përsipër edhe personelin që punon këtu të jetë pjesë e stafit të bashkisë që këto kushte, këto trajnime të vazhdojnë dhe të mos pengohen. Duke qenë se në kursin e parë kemi pasur 80 fëmijë të regjistruar atëherë e pamë të arsyeshme që ky të vazhdojë gjithmonë duke pasur një personel ndihmës direkt nga stafi i bashkisë”, tha Malaj.
Zëvendëskryeministrja Balluku tha se fusha e teknologjisë po merr një vëmendje gjithmonë e më të shtuar, ndaj është e rëndësishme që të rinjtë të zgjerojnë njohuritë e tyre në këtë sektor, teksa siguroi se mbështetja për këtë qendër do të vijojë.
“Ky është një projekt që ja vlen. Një projekt ku fëmijët përfitojnë, por, siç e kam thënë gjithmonë, ju të Matit jeni edhe të talentuar nga natyra kam përshtypjen unë, se kam njohur shumë djem dhe vajza të cilët janë shumë të talentuar përsa i përket shkencave kompjuterike, që janë dhe e ardhmja e vendit. Ju e dini që ne kemi filluar të dixhitalizojmë të gjitha proceset, duke nisur nga shërbimet që merren online dhe më pas edhe kurset që bëni ju mbas orarit të shkollës, por edhe në shkollë”, tha Balluku.
Zëvendëskryeministrja vlerësoi më tej Bashkinë e Matit për të gjithë punën që po bën për përthithjen e programeve dhe projekteve të cilat financohen nga donatorët e huaj. “Programi do të vazhdojë. Nga ana tjetër, bashkia e Matit ka një përthithje shumë të mirë të fondeve të huaja, siç është edhe rasti i fondeve që keni përthithur jo vetëm për qendrën, por për të rinovuar gjithë pallatin e kulturës. Kështu që unë besoj që programet do vijojnë dhe për më tepër edhe do të shtohen dhe me gjithë këtë pjesëmarrje që ju keni edhe motivimin për të shkuar përpara, unë jam shumë e sigurtë që donatorët sa herë do t’ju vizitojnë dhe do të shikojnë pjesëmarrjen e fëmijëve dhe angazhimin e mësuesve do t’ju mbështesin padyshim. Sigurisht të njëjtën gjë edhe përsa i përket qeverisë”, shtoi më tej Balluku.
Nxënësit e qendrës së Inovacionit ICT Mat demonstruan disa prej punimeve të realizuara prej tyre, falë njohurive të marra në këtë qendër.