Nga Jakin Marena
Situata në të dy copat e PD është me të vërtetë një mishmash tragji-komik, sa askush nuk mund t’ia gjejë fillin dhe sikur të mundohet ditë natë. Eshtë tepër e ngatërruar, sepse kështu u volit.
Nën mbulesën e përpjekjeve për bashkim, që tashmë në të gjitha grupet e PD po merr trajtën e një procesi për ndarjen definitive dhe pa kthim, si PD-ja zyrtare ashtu dhe Foltorja të cilës i është bashkuar grupi i Bardhit, kanë në mendje vetëm një gjë: si ta zhysin sa më shumë njëri tjetrin, për të përfituar kredo politike dhe marrë rolin e lidershipit tek opozita.
Anipse Foltorja e drejtuar nga Sali Berisha juridikisht nuk është parti politike, paçka se ka rreth vetes më shumë mbështetje, por dhe PD zyrtare e drejtuar nga Lulzim Basha, kanë një pikë të vetme ku ‘bashkohen’ me shumë sukses: Në akuzat ndaj njëri tjetrit për tradhëti ndaj kauzës së djathtë përmes bashkëpunimit ‘respektiv’ me Edi Ramën.
Në fillim kishte akuza të forta nga ana e Foltores në drejtim të PD të Bashës se po ‘flirtonin’ e bashkëpunonin me mazhorancën për të përfituar politikisht, në këmbim të reformës zgjedhore, ku primare nga PD ishin listat e hapura, votimi dhe numërimi elektronik, vota e emigrantëve dhe gjkëra të tjera të këtij lloji. Kjo në këmbim të miratimit të aministisë penale ku qindra të burgosur sipas kritereve të përcaktuara në draft do të përfitonin nga ky ligj dhe nuk do të hanin kot bukën e shtetit. Njëherësh do hapnin vend për të dënuarit e rinj për vepra më të rënda penale, që sipas gjasave pritet të ketë dhe ‘bujtës’ VIP, pas intensifikimit të punës së SPAK dhe Gjykatës së Posaçme në hetimin e dënimin e njerëzve të krimit të organizuar, si dhe zyrtarëve të lartë të korruptuar.
Shtuar këtu dhe faktin se sipas të gjitha ligjeve në fuqi PD zyrtare ka vetëm një emër për bashkëkryetar të Komisionit për Reformën Zgjedhore, gjë që nuk pranohet nga ana e Berishës dhe mbështetësve të tij tek Foltorja, të cilët donin me patjetër heqjen e Alibeajt dhe zëvendësimin e tij me Oerd Bylykbashin, pavarësisht se emri në Kuvend sipas ligjit dërgohet me firmën dhe vulën e PD, gjë të cilën Foltorja nuk e ka. Pra s’është parti për anën juridike.
Këto bisedime normale për një vend normal dhe me institucione të ngritura, nuk bënë asgjë tjetër por ngritën në maksimum ‘sentimentin’ e Berishës i cili nga maja e ballkonit nuk harronte asnjë natë që të akuzonte Bashën dhe PD-në zyrtarë se po tradhëtojnë me Ramën. Madje e cilësojnë PD zyrtare si një parti në pushtet, në mazhorancë dhe në aleancë me PS. Aq shumë u frustuan Basha dhe të tijtë nga këto akuza, sa sikur u zhdukën nga qarkullimi, duke mos shkuar madje as në Parlament, dhe duke u përbetuar se s’kanë asgjë me mazhorancën, por dhe akuzuar Berishën e Foltoren per pazare me PS.
Por menjëherë sapo u bënë publike negociatat mes Rithemelimit dhe PS, flasim në nivelin institucional dhe në Kuvend dhe jo negociata partiake, për të marrë konfermën e mazhorancës për komisionet hetimore, kuptophet sipas ligjit dhe vendimit të Kushtetueses për përcaktimin qartë të objektit të hetimit, si dhe për të monitoruar punën e komisionit të Reformës Zgjedhore përmes nënkomisionit të dakordësuar për t’u ngritur nga Kuvendi, pa prekur përbërjen dhe emrat e bashkëkryetarëve të tij, menjëherë PD zyrtare e Bashës shpërthen në akuza ndaj Berishës dhe Foltores se po tradhëton idealet e djathta ‘duke bërë pazar me Ramën’.
Pra në të dyja rastet, si nga PD zyrtare ashtu dhe nga ana e Foltores, po akuzojnë njëra tjetrën se po tradhëtojnë me të njejtin person, me Ramën. Anipse mazhoranca dhe lideri i saj, kryeministri Rama, e kanë shprehur publikisht më se njëherë se e kanë detyrim të bashkëpunojnë me opozitën. Kuptohet jo me liderin ‘non grata’. Por që për hir të së vërtetës, dhe mazhoranca është në hall se me kë opozitë të negociojë për ligjet apo për integrimin në BE, sepse duhen reformat.
Mazhoranca më se njëherë gjatë tërë këtyre muajve, pavarësisht se deputetët e Berishës dhe të Bardhit krijuan kaos në parlament, është shprehur pro ngritjes së komisioneve hetimore. Vetëm se është kërkuar që ato të ngrihen konform ligjit dhe duke respektuar e zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me objektin e hetimit. Pra nuk ka bërë asgjë më shumë dhe në këto negociata që janë bërë deri më tani me përfaqësuesit e Rithemelimit, duke vendosur pikërisht arritjen në parim të marrëveshjes referuar këtyre qëndrimeve. Por dhe me një ligj të ri për komisionet hetimore të miratuar, i cili nga deputetët e Rithemelimit është ankimuar në Kushtetuese.
Po ashtu dhe për diskutimin me përfaqësuesit e PD zyrtare për reformën zgjedhore dhe elementët e tjerë të këtij lloji, përfshirë dhe ligjin për amnistinë, kriteret dhe shtrirjen kohore të efekteve të këtij ligji, mazhoranca ka qënë konsistente në qëndrimin e saj. Madje për të përfshirë dhe deputetët e tjerë të opozitës nga Rithemelimi u vendos në parim krijimi i një nënkomisioni për të dakordësuar të gjitha ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar, përfshirë dhe Reformën Zgjedhore. Pra për të përfshirë gjithë deputetët e Kuvendit.
Por problemi është tek pjesët e opozitës, PD zyrtare dhe Foltorja, që kanë armiqësi të thellë mes njëra tjetrës dhe nuk bien dakord për asgjë, ndaj paradite negociojnë me Ramën, ndërsa pasdite akuzojnë njëra tjetrën se po tradhëtojnë duke bërë pazar po me Ramën. Kështu dhe për arrirjen e marrëveshjes me deputetët e Rithemelimit dhe këtë të martë.
Mazhoranca ka rënë në hall, pasi sa arrin dakordësinë me njërën prej pjesëve të PD, atë zyrtaren për të vazhduar përpara me reformat që kërkon dhe integrimi në BE, menjëherë hidhet grupimi i Foltores së Berishës dhe akuzon Bashën dhe mbështetësit e tij për akte tradhëtie me Ramën, apo se nuk janë opozita e vërtetë dhe se janë pjesë e qeverisjes.
Në momentin që arrihet marrëveshja në parim me deputetët e Rithemelimit, pa prekur emrin e bashkryetarit të Reformës Zgjedhore Enkelejd Alibeajn, por është rënë dakord në parim për ngritjen e dy komisioneve hetimore, për arritjen e futjes nën funksionim të këtij komisioni, menjëherë vjen akuza nga pala e Bashës që akuzon Rithemelimin për pazar të ulët me Ramën. Deri dhe nga brenda Rithemelimit si në rastin e Salianjitt që është shprehur kundër këtyre negociatave, teksa nënvizojnë faktin se u tradhëtuar lëvizja 5 mujore duke djegur parlamentin e bllokuar seancat parlamentare, vetëm për t’u ulur me njerëzit e Ramës. Apo Murrizit që e akuzon Bardhin se ka negociuar për karrigen e tij, në pritje të dënimit dhe daljes jashtë politikës të Berishës. Dhe që sipas Murrizit, e mendojnë shumë tek Foltorja, Gazi si një skuth i keq ‘fërkon’ duart për kalimin e 21 janarit në SPAK, duke shpresuar për trashëgiminë e Foltores.
Ndërkohë që po nga brenda Foltores e kanë ‘dhimbje’ qëndrimin e mbyllur nën arrest shtëpie të liderit të këtij grupimi politik, Sali Berisha, duke shprehur pakënaqësinë se pse nuk e kanë përfshirë dhe këtë fakt në kushtet që i duheshin vënë Ramës. Pavarësisht se mazhoranca më se njëherë është shprehur, dhe sot pas arritjes së dakordësisë se s’ka asnjë lloj marrëveshje me personat ‘non grata’, thjeshtë janë respektuar deputetët, në funksion të ecurisë normale të jetës parlamentare. Aq më tepër që PS është kategorike kundër ndërhyrjes në punët e drejtësisë.
Gjithsesi, pavarësisht arritjes së marrëveshjes në parim me deputetët e Rithemelimit për dy komisionet hetimore parlamentare, por dhe rifutjen në progres të punës së Komisionit të Reformës Zgjedhore, pa prekur asnjërin prej ‘lidershipit’ të tij, pra as Alibeajn, sërish të dyja copat e PD nuk ndjehen mirë, sulmojnë njëra tjetrën se kanë tradhëtuar duke bërë pazar me Ramën. Sa dhe mazhoranca e Kuvendi kanë rënë në hall me këtë opozitë.
Një sjellje e tillë mes njëra tjetrës e PD zyrtare të Bashës dhe Foltores së Berishës, na kujton një anektodë të hershme të një familjeje shqiptare. Ku babai zot i shtëpisë u bëri dy vajzave të martuara vizitat respektive në shtëpitë e tyre. Dhe moti ishte ai që i prishi terezinë babait. Teksa shkoi tek shtëpia e vajzës së parë, dhëndri që kishte mbjellë tërë tokën me grurë dhe priste ta korrte e trondit vjehrrin kur i tha se nëse do binte shi, ai do vriste veten, pasi i shkonte dëm gjithë bereqeti, i cili do t’i kalbej. Iku me zemër në dorë plaku tek vajza e dytë, dhe dhëndri që kishte mbjellë tërë tokën me misër i tha vjehrrit, se nëse nuk bie shi, do të vriste veten pasi do t’i thaheshin bimët e misrit. Plaku iku pikë e vrer tek shtëpia e tij, dhe i thotë bashkëshortes: Grua bëju gati për mort, se njëri nga dhëndrat nesër vret veten, si ra si nuk ra shi dhe njëra nga vajzat do mbetet pa burrë.
E sollëm këtë histori për të treguar se aq keq është situata në të gjitha copat e PD, pa asnjë shans rikuperimi, sa dhe sikur larg qoftë, pushtetin t’ua lërë në dorë duke ua falur vetë Edi Rama që sot opozitës, sërish do akuzojnë njëra tjetrën për tradhëti e pazar me Ramën. Ndaj duke qënë pak skeptik për respektimin e marrëveshjeve nga ana e Rithemelimit, por dhe nga PD, shpresojmë që sëpaku këto negociata të kenë shërbyer për deputetët e Berishës që të dalin nga ‘ngushtica’ ku kishin mbetur me lojën e dhunës, zjarrin dhe karrigeve në Kuvend. Por dhe të kenë zënë mend, se komisionet hetimore, gjithsesi duhen bërë sipas ligjit dhe vendimit të Kushtetueses, siç ka këmbëngulur gjithnjë mazhoranca që të ngrihen.
Ne na mbetet thjeshtë të presim çfarë do ndodhë. Ndërkohë që akuzat me tradhëti do vijojnë dhe pas humbjes që do shënohet nga opozita në zgjedhjet e 2025. Ndërsa ‘revolucioni’ i Berishës ‘vdiq’ sërish, ndërkohë që vetë Berisha do vijojë nën arrest shtëpiak, derisa nga hetimi një nga një i dosjeve të shumta që ka në ngarkim, mund të marrë dhe ‘transferim’, por në qeli. Vendimi i Gjykatës së Lartë që ia kaloi hetimin e ’21 janarit’ SPAK-ut nuk paralajmëron asgjë të mirë për Berishën, i cili më shumë se kurrë ndjehet i rrezikuar nga burgu me tamam tani, jo në kushte shtëpie. Pra Berisha më shumë se kurrë po ‘flirton’ me burgun, ndërsa Bardhi ‘fërkon’ duart!