Nga Hermes Kafexhiu

Në provincën ku kam lindur unë, ka pasur një familje e cila ishte ndoshta familja më e vetmuar e qytetit. Kur isha i vogël më dukej si një familje përrallash, ku ata më ngjanin si ato familjet me portrete misterioze dhe të çuditëshme, sa hidhja dyshime se ata bënin gjëra të frikshme brenda shtëpisë së tyre.
Të gjithë në qytet e shihnin atë familje si të distancuar dhe krejt pa arsye. Babai i shtëpisë nuk kishte asnjë shok dhe kur dilte shoqërohej ose me gruan ose me vajzën. Vajza e shtëpisë ishte kaq e ftohte në dukje si një portret i dalë nga ngrica dhe ngjante fiks si në ata filmat “Triller psikologjik”. Mirëpo mua dhe një shokun tim nuk na la kurioziteti dhe vendosëm të hynim në ambientet e shtëpisë së tyre fshehurazi. Unë isha 9 vjeç dhe shoku im po ashtu. Mbaj mend futa në xhep një thikë të vogël nga frika e ndonjë agresioni, po të na kapnin. Kurse shoku im kishte sajuar një hekur të mprehtë.

Shtëpia e tyre ishte privat me një mur normal rrethues dhe në oborr nuk kishte qen. Hyjmë nga muri dhe shtëpia kishte një heshtje varri. Në çdo shtëpi ndihet një zhurmë televizori.
Ajo heshtje më ka trembur ndoshta më shumë nga çdo gjë në jetën time, por prap doja të hyja në atë shtëpi. Kaluam parvazin e hyrjes dhe hapëm dritaren e një dhome nga e cila pamë se nuk kishte njëri. Shoku im vendosi të ruante. Kalova me kujdes dhomën dhe dola në korridor. Korridori ishte i gjatë dhe aty ndjeva gjurmët e vajzës që mesa dukej shkoi në dhomën e saj. Mbylli derën. Dera e sallonit ishte hapur. Ndjeva një muzikë të lehtë, që nuk ja gjej dot titullin sot e kësaj dite. Nga një kënd më doli rrezja të shihja sallonin dhe pashë që çifti po kërcente. Ishte një pamje aq e bukur. Sa dashuri fshinte ajo shtëpi dhe askush në qytet nuk e dinte këtë.
Kur u rrita vijoja ta shikoja ende atë familje që ruante po atë distancë dhe kujtoja shpesh atë çift aq të akullt e të pazakontë, që transmetonin përballë botës pikërisht atë që ata nuk ishin.
Shtëpia e tyre kishte piano, kishte piktura, kishte pafundësisht sende që rrëfenin kulturë dhe mbi të gjitha kishte shumë dashuri, aq dashuri sa ajo distancë mes tyre dhe qytetit tregonte ndoshta të anasjelltën.

Qytetit i mungonte dashuria dhe asaj shtëpie jo.