Aktori Alfred Trebicka iu bashkua nismës “Dhuro zërin” për pasurimin e bibliotekës audiodigjitale për fëmijët që nuk shikojnë.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastriliu në një postim në rrjetet sociale.

Manastirliu u shpreh se “Trebicka ka dhuruar zërin e tij me një nga veprat më ikonike të letërsisë shqiptare, “Kronikë në gur” të shkrimtarit tonë Ismail Kadare”.

Ministrja Manastriliu i bën apel të gjithëve të dhurojnë zërin e tyre, duke u shprehur se nëse dhuron zërin vetëm 1 herë, ai mund të dëgjohet mijëra herë.

Kësaj nisme i janë bashkuar emra të njohur të artit dhe kulturës, që me zërin e tyre kanë pasuruar bibliotekën audiodigjitale për fëmijët që nuk shikojnë.

Instituti i Nxënësve që nuk Shikojnë pritet të kthehet në qendër burimore. Nxënësit punojnë me programin e shkollave 9-vjeçare të zakonshme duke shtuar lëndët speciale, si mësimi i shkrimit Brail etj. Instituti garanton cilësi në mësimdhënie nga një staf i kualifikuar profesionalisht dhe i aftë për të mësuar nxënës të verbër dhe me shikim të pjesshëm, me një bazë didaktike të përshtatshme për ta.