Gazeta DITA ka botuar pjesë nga arkiva e gjyqit që dënoi me vdekje ish-ministrin Koçi Xoxe.
Në seancën e 13-të dhe të fundit të gjyqit (datë 10.06.1949) u dha vendimi për të pandehurit Koçi Xoxe, Pandi Kristo, Vango Mitrojorgji, Vaskë Koleci dhe Nuri Huta.
Gjykata jep dënim kapital për Xoxen, e cilësuar si “kreu i bandës armiqësore-trockiste” dhe nga 5 deri në 20 vite dënim për katër bashkëpunëtorët e tij.
Ata dënohen edhe me punë të detyruar gjatë privimit të lirisë. Të dënuarit humbasin gjithashtu të drejtat civile dhe u hiqen gradat që kanë pasur.
Në leximin e vendimit për Gjeneral Leitnant Koçi Xoxen bie në sy se ai dënohet edhe për “arrestime, vrasje, internime të paligjshme dhe torturime të shtetasve” e gjithashtu për “përvetësimin e të hollave në dëm të arkës së shtetit dhe të partisë” – raporton gazeta DITA.
Pandi Kristo u dënua me 20 vjet privim lirie, Vaskë Koleci me 15 vjet privim lirie, Nuri Huta me 10 vite privim lirie dhe Vango Mitrojorgji me 5 vjet privim lirie
“Në bazë të nenit 2 paragrafi i IV të Ligjit mbi konfiskimin e pasurisë dhe mbi zbatimin e konfiskimit, pasi rezulton se të dënuarit e mësipërm nuk zotërojnë pasuri, gjykata vendos përjashtimin e tyre nga masa e konfiskimit” – thuhet në vendimin e shpallur në Tiranë, më 10 qershor 1949, firmosur nga kryetari i trupit gjykues, Frederik Nosi dhe anëtarët Niko Zoto, Vasil Trimçev dhe sekretar, Kozma Toçi.
Pas dënimit nga Gjykata e Lartë, Xoxe i dërgon dy lutje Presidiumit të Kuvendit popullor për faljen e jetës.
Në lutje Xoxe theksonte “dashurinë për Partinë, gabimet pa dashje, kontributin e dhënë në luftë, vështirësitë e familjes së tij të madhe”.
“Vini dorën në zemër, të më falni jetën, duke më lënë barrën e rëndë t’ia shpërblej gjithë jetën Partisë e vendit” shkruante Xoxe sipas dokumentit të lutjes së tij, publikuar për herë të parë nga Dita.
Por lutjet nuk u pranuan. Koçi Xoxe pushkatohet në orën 23:15 të datës 11.VI.1949.
I mbajtur sot më datë 11.VI.1949, ora 23:15 mbi ekzekutimin e dënimit me vdekje, të dhënë nga Gjykata e Lartë, Koçi Xoxes.
Ekzekutimi i të dënuarit u krye në prezencë të akuzës publike shokut Bedri Spahiu, duke qenë i asistuar prej sekretarit Kozma Toçi, të deleguarit të Degës së Brendshme të Tiranës, Major Halim Xhelos si dhe prej mjekut, Nënkolonel shokut Ibrahim Dervishit.
Në datën dhe orën e shënuar, në krye të këtij procesi, u suall i dënuari në vendin e ekzekutimit.
Prokurori, shoku Bedri Spahiu, i bëri edhe një herë të ditur të dënuarit se kërkesa për falje qe refuzuar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor dhe e pyeti nëse ishte takuar me familjarët e tij. I dënuari u përgjigj se po, ishte takuar me familjarët e tij.
“Në këtë moment”, tha Prokurori, “je sjellë këtu për të vënë në zbatim vendimin e formës së prerë të Gjykatës së Lartë. Prandaj thuaj nëse ke gjë për të thënë ose porosi për të lënë si vullnet të fundit.”
I dënuari Koçi Xoxe përgjigjet se: “Nuk kam gjë për të thënë. Familjen e takova!”
Prokurori i kujtoi edhe një herë nëse kishte ndonjë porosi për të lënë dhe i dënuari përgjigjet: Nuk kam gjë, të rrojë Partia, Republika, Bashkimi dhe Stalini. Mua më gjykoi dhe më dënoi Bedri Spahiu!”
Prokurori Bedri Spahiu tha: “Partia dhe Republika jonë do të rrojnë e lulëzojnë dhe kjo jo për vullnetin tënd.”
Në këtë çast, pikërisht në orën 23:15, përfaqësuesi i Akuzës Publike urdhëroi të kryhej ekzekutimi me pushkatim.
Pas qëllesave të togës së pushkatimit, u porosit mjeku, shoku Ibrahim Dervishi, i cili ekzaminoi trupin e të dënuarit dhe konstatoi se në vijim të qëllesave (gjuajtjeve me armë) të togës së pushkatimit, ka vdekur.
Pastaj, u urdhërua të kryhej varrimi i kufomës, pasi familjarët nuk kishin shfaqur ndonjë dëshirë për ta marrë atë, (kufomën).
Konform nenit 8 të Ligjit “Mbi ekzekutimin e dënimeve”, u mbajt ky proces-verbal, një kopje e të cilit i dërgohet Gjykatës së Lartë për t’u bashkuar me aktet.
Tiranë, më 11.VI.1949, ora 23:15
Firmosin: Mjeku: Ibrahim Dervishi Përfaqësuesi i DPB Tiranë: Halim Xhelo Sekretari: Kozma Toçi Përfaqësues i akuzës: Bedri Spahiu
Gazeta Dita