Katër fëmijë dhe dy të rritur janë gjetur të vdekur në një shtëpi në Otava, ka bërë të ditur policia kanadeze.

Gjashtë personat u gjetën të vdekur pasi policia u lajmërua përmes një thirrjeje të bërë në orët e mbrëmjes të së mërkurës lidhur me rastin, raportoi BBC.

Prona ku u gjetën trupat ndodhet rreth 17 km në jug-perëndim të kryeqytetit kanadez.

Në një deklaratë, policia e Otavës ka thënë se është arrestuar një person deri tani.

Policia po ashtu ka bërë të ditur se të paktën një person ishte dërguar në spital në zonën e Otavës me lëndime serioze, por është jashtë rrezikut për jetë.

“Ky është një hetim tragjik dhe kompleks dhe ekipet hetuese mbeten në Berrigan Drive”, ka thënë policia në një deklarate, duke shtuar se nuk kishte asnjë kërcënim për sigurinë publike.