I dërguari i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, ka thënë se vendimi i qeverisë së Kosovës për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me pronat e Manastirit të Deçanit, ishte një hap i domosdoshëm. Ai tha se me Osmanin kanë diskutuar edhe për çështjen e sigurisë dhe shtoi se SHBA mbetet e shqetësuar për ngjarjet e 24 shtatorit.

Escobar tha se të dyja palët, Kosova dhe Serbia, duhet të vazhdojnë me zbatimin e plotë për të pasur marrëveshje historike.

“Vendimi i sotëm për Manastirin ishte hap i domosdoshëm i vështirë, dhe falënderoj institucionet për këtë hap. Jemi të shqetësuar për ngjarjet e 24 shtatorit dhe ftojmë Serbinë që të gjithë ata që janë përgjegjës ti vënë para drejtësisë e të marrin dënimin e merituar. Kemi shumë për të diskutuar për sfidat, përfshirë edhe vendimin e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës, për të gjetur mënyra për të ecur para me dialogun. Ftojmë Serbinë të vazhdojë me zbatimin. Nuk duhet vetëm përpjekja unilaterale e Kosovës dhe marrja e vendimeve të zorshme e të vështira nga ajo, që marrëveshja e Ohrit të bëhet realitet”, ka thënë Escobar.

Escobar pas takimit me presidenten Osmani, do të zhvillojë takime me liderët e partive opozitare në Kosovë.