Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka vijuar hetimet në lidhje me ngjarjen e ndodhur më 21 mars, ku u Enea Sulejmani u plagos nga policia pasi nuk iu bind urdhrit për ndalim dhe u kap me 1 kg kokainë. Sulejmani u arrestua dhe është lënë në burg së bashku me 2 të rinj të tjerë.

Pas hetimeve të thelluara, pas dyshimeve se efektivi i Forcës Operacioniale, Ervis Shkurta, komunikonte me trafikantët për drogën.

AMP bën me dije se dhe pas këqyrjes së detajuar të komunikimeve telefonike mes tyre dhe personave të tjerë, deklarimeve të disa personave që tregojnë rrethana të hetimit, si dhe këqyrjes së pamjeve filmike të administruara, është bërë e mundur gjetja dhe kontrolli i një ambienti të përshtatur si Call Center, në pronësi të shtetasve M.H. (i shpallur në kërkim) dhe Shkëlqim Ostreni i ndodhur në rrugën “Idriz Guri” Tiranë, në të cilin ushtrohej aktiviteti i paligjshëm i mashtrimit me bursën FOREX.

Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë ambient, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, dokumente, pajisje të ndryshme dhe disa njësi kompjuterike, në të cilat ishin të instaluara programe/aplikacione dhe lista emrash me numra italianë, të cilët kontaktoheshin nga disa operatorë, duke i mashtruar për investime në bursë, nëpërmjet të cilave arrinin të përfitonin vlera monetare të konsiderueshme, që variojnë nga 500 deri në 30.000 euro.

Mbi bazën e materialeve hetimore të administruara deri në këtë fazë i është relatuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, caktimi i masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues, në mungesë, për shtetasit M. H., 33 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Mashtrim kompjuterik” i kryer në bashkëpunim, si dhe regjistrimin e të njëjtës vepër për personin nën hetim Shkëlqim Ostreni, i arrestuar më parë si i dyshuar për veprën penale “Prodhim dhe shitje narkotikësh”.

Hetimet vijojnë për identifikimin e plotë të të gjithë personave të perfshirë në këtë veprimtari dhe dokumentimin me prova ligjore të veprave penale, ku dyshohet se ata janë të përfshirë.

MASA

Gjykata e Tiranës ka caktuar masat për 4 të dyshuarit për trafikim të 1 kg kokainë mes tyre edhe efektivin e operacionales Ervis Shkurta. Vetëm për Enea Sulejmanin, kreu i Transportit Ndërqytetas, gjykata caktoi masën “burg pa afat”, ndërsa për tre të arrestuarit e tjerë Igli Begaj, Shkëlqim Osteni (dy pasagjerët në makinë me Sulejmanin) dhe efektivin Forcës së Posaçme Operacionale, Ervis Shkurta, u caktua masa me afat deri në 16 maj, kohë në të cilën prokuroria duhet të sjellë prova të tjera për të bindur gjykatën. Sulejmani nuk ishte i pranishëm në gjykatë, pasi vijon të jetë në Spitalin e Traumës. Ai u përfaqësua në gjykatë nga avokati i tij mbrojtës.

Të pranishëm në seancë Shkëlqim Ostreni dhe Igli Begaj, kanë kërkuar nga gjykata që të mos marrë parasysh dëshmitë paraprake që ata kanë dhënë në polici me pretendimin se kanë deklaruar pa pranin e avokatit dhe nën trysni. Ata kanë pretenduar se nuk kanë lidhje me kokainën që ishte në makinën e Sulejmanit. Në të njëjtën linje me ta ka qenë edhe polici operacioneve, Ervis Shkurta. Ai ka mohuar përfshirjen në ngjarje duke pretenduar se nuk është ai poseduesi i numrit britanik me pseudonimin “Visi i Pazarit”, që kanë pretenduar të dyshuarit e tjerë. Po ashtu, ai ka kërkuar lirinë edhe për shkak të problemeve shëndetësore që ka një nga fëmijët e tij.

Gjithashtu edhe avokati mbrojtës i efektivit Ervis Shkurta ka pretenduar se nga raportet e policisë nuk del që të përmendet emri i efektivit. Ndërkohë prokuroria ka kërkuar që t’i lërë në qeli duke argumentuar se ka prova të mjaftueshme për të vërtetuar dyshimin e arsyeshëm.

HETIMET

Sipas prokurorisë, gjatë hetimit dymujore janë përdorur edhe metoda speciale të hetimit, si blerjet e stimuluara dhe përgjimet. Aksioni i policisë u zhvillua të enjten në mbrëmje dhe në pranga ra kryetari i Shoqatës së Transportit Ndërqytetas, Enea Sulejmani, i cili ishte shoferi i mjetit tip “Tiguan”. Ky i fundit tentoi të shtypte me makinë efektivët e policisë, teksa u afruan për t’i arrestuar gjatë operacionit antidrogë. Në këto kushte efektivët e policisë kanë qëlluar me armë zjarri duke plagosur në këmbë në kushtet e vetëmbrojtjes. Bashkë me Sulejmanin janë arrestuar edhe dy të rinj, Shkëlqim Ostreni dhe Igli Begaj. Antidroga e Tiranës i kishte prej kohësh në ndjekje këta persona. Tre të rinjtë dyshohen si furnizues kokaine.