Pas dy shekujsh politikë neutrale, Suedia pritet të bëhet sot zyrtarisht anëtarja e 32-të e NATO-s, një hap i madh për një vend që dikur ishte i kujdesshëm për të mos zemëruar Rusinë. Kryeministri suedez Ulf Kristersson sot në Uashington do të dorëzojë në mënyrë ceremoniale dokumentet e ratifikimit te sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, pas betejës së gjatë për të siguruar mbështetjen e nevojshme nga të gjithë anëtarët e NATO-s.
Kristersson pritet që më vonë gjatë ditës të marrë pjesë në fjalimin vjetor të presidentit Joe Biden, i cili po përpiqet të bindë partinë rivale republikane që të miratojë ndihmën e re për Ukrainën. Flamuri i Suedisë pritet të ngrihet të hënën në selinë e Aleancës së Traktatit të Atlantikut të Veriut në Bruksel. Rusia është zotuar për “kundërmasa” për hyrjen e Suedisë në NATO, veçanërisht nëse trupat dhe mjetet e aleancës vendosen në vend.