Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, tha të premten se Serbia e ka të qartë se çdo përdorim i forcës ndaj Kosovës është i papranueshëm dhe do të rrezikonte trupat e NATO-s që ndodhen në terren, për të mbrojtur të gjithë qytetarët e saj.

Ai i bëri këto komente në një bashkëbisedim me gazetarë i pyetur rreth një postimi të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se njësi të posaçme të ushtrisë së Serbisë janë vërejtur vetëm disa metra larg kufirit me Kosovën. Kryeministri Kurti tha se “jemi të vetëdijshëm se Forcat e Armatosura të Serbisë janë duke realizuar stërvitjet e rregullta dhe ato janë duke i përdorur si pretekst për të shkaktuar provokime të qëllimshme në afërsi të kufirit me Kosovën”.

Autoritete serbë u thanë medieve në Beograd se lëvizjet trupave janë pjesë ë stërvitjeve të zakonshme në zonën tokësore të sigurisë përgjatë kufirit me Kosovën.

“Në Serbi, presidenti Vuçiç e di mirë se çfarëdo përdorim i forcës ndaj Kosovës do të ishte i papranueshëm dhe do të shihej si rrezikim i trupave të NATO-s që janë atje për të mbrojtur popullatën serbe dhe shqiptare. Ai ka thënë se nuk do të ketë përdorim force. Stërvitjet jemi duke i ndjekur, por çështja thelbësore është që palët duhet t’i ulin tensionet, përfshirë edhe ato që ndërlidhen me stërvitjet e ushtrisë përreth kufirit”, tha zoti O’Brien.

Ai tha po ashtu se Serbisë i është bërë e qartë se personat e përfshirë në sulmin e 24 shtatorit të vitit të kaluar në ndaj policisë së Kosovës në veri, duhet të mbahen përgjegjës.