Teksa ka kaluar më shumë se 60 ditë i kyçur brenda shtëpisë me një vendim gjykate, ish-kryeministrin Sali Berisha e pret një javë përballjesh gjyqësore. Në thelbin e tyre është kërkimi i tij për të dalë nga arresti shtëpiak dhe rrëzuar masat e sigurisë të dhëna nga dy shkallët e Gjykatës së Posaçme. Të hënë në orën 10:00 Gjykata e Posaçme shqyrton kërkesën e bërë nga ish-kryeministri nën hetim për “korrupsion”, për shfuqizim të masës së sigurisë “arrest në shtëpi”.

Javën e kaluar, seanca e parë e shqyrtimit të kësaj kërkesë penale, dështoi për shkak se gjyqtarja Irena Gjoka ishte e angazhuar në një gjykim tjetër penal, që shkoi përtej orarit zyrtar të punës në gjykatës. Në seancën e së hënës avokatët e ish-kryeministrit pritet të paraqesin një akt-ekspertim kontabël, të bërë nga ekspertë privatë, mes të cilit do të provojnë që Jamarbër Malltezi, po ashtu nën hetim për dosjen “Partizani”, nuk i ka përfituar paratë me të cilat SPAK pretendon se ka korruptuar vjehrrin ish-kryeministër.

Përballjet e tjera gjyqësore të javës Berisha i ka në Gjykatën e Lartë, e cila të martën shqyrton dy rekurse të ish-kryeministrit. Në orën 10:50 të së martës një Kolegj Penal i përbërë nga gjyqtarët Ilir Panda, Sokol Binaj e Sandër Simoni do të gjykojë pretendimin e Berishë për të shuar masat e para të sigurisë ndaj tij, atë të “detyrimit për paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”.

Sipas ish-kryeministrit masat e kanë humbur fuqinë, pasi gjyqtarja Irena Gjoka e zbardhi arsyetimin e vendimit përtej afatit 48 orësh të parashikuar në ligj. 1 orë e 40 minuta më pas, i njëjti Kolegj Penal duhet të shqyrtojë rekursin e Berishës kundër këtyre dy masave të sigurisë.

Në rast se Gjykata e Lartë rrëzon dy masat, humb fuqinë edhe masa e “arrestit në shtëpi”, që ka ardhur si ashpërsim i tyre.

Ndërkohë Gjykata e Lartë ende nuk e ka caktuar një datë për rekursin e bërë nga ish-kryeministri kundër “arrestit në shtëpi”, masë në të cilën qëndron prej 30 dhjetorit të vitit të kaluar.