E ftuar sot në emisionin “S’e Kam me Ty” ka qenë autorja e programit “Për’Puthen” Olsa Muhameti. Ajo ka rrëfyer dhe ka zbuluar shumë detaje nga karriera dhe jeta e saj personale.

Olsa Muhameti tregoi se si ka nisur rrugëtimi i saj në media dhe u shpreh se nuk ka qenë aspak e lehtë për të dhe këshilla e vetme që do t’i jepte dikujt që mendon t’i futet botës së televizionit është:

Në këtë pikë ndoshta dikujt që do të hyjë në televizion do t’i thoja mendoje dy herë. Unë jam në një pikë që them a ia vlen të vazhdoj të luftoj për të qëndruar në televizion apo thjesht ta lë dhe të vazhdoj jetën time diku duke bërë diçka tjetër që mund ta kem pasion apo dëshirë. Prandaj them se duhet të kesh shumë këllqe që të bësh televizion dhe ta bësh gjatë.

Kur kthehet pas në kohë Olsa a mendon se ka gabuar në diçka apo ka menduar se do ta bënte ndryshe mbase?

Nuk besoj se është mungesë modestie të them që nuk do të kisha ndryshuar asgjë nga gjërat që kam bërë. Kur i bëj gjërat i mendoj disa herë. Madje pas një jave për herë të parë kam censuruar në “Për’Puthen” diçka dhe i thashë protagonistëve më keni sfiduar karrierën.

Më tej shtoi se:

Javën që vjen kam censuruar një takim në “Për’Puthen”, kjo ndodh për herë të parë. Kishte shumë erotizëm dhe seks brenda dhe aty thashë se ndoshta jam rritur shumë në moshë ose vërtet ajo nuk duhet të transmetohet sepse tejkalonte etikën e orarit të transmetimit të “Për’Puthen”.