Falë një marrëveshjeje huaje me Bankën Ndërkombëtare për Zhvillim dhe Rindërtim, do të investohen 75 milionë euro në sistemin e pastrimit dhe pajisjeve me impiantë të trajtimit të ujërave të ndotura të bashkive që lagen nga lumi i Vjosës.
Lajmin e bëri të ditur ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro pas mbledhjes së sotme të Qeverisë.
“Miratuam një marrëveshje shumë të rëndësishme kredie me Bankën Ndërkombëtare për Zhvillim dhe Rindërtim, prej 75 milionë eurosh për të investuar gjithë sistemin e pastrimit dhe të pajisjeve dhe impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura të bashkive që lagen nga lumi i Vjosës. Siç e dimë, lumi i Vjosës tashmë është Park Kombëtar i rëndësisë më të veçantë, park kombëtar i lumit të fundit të egër në Europë, por nuk mund të kemi një park kombëtar të tillë nëse nuk merremi me gjithë sistemin e mirëmbajtjes që nuk është thjesht fauna dhe flora që shohim, por është menaxhimi i të gjithë jetesës të gjithë komuniteteve dhe bashkive të cilat praktikisht lagen nga lumi i Vjosës duke filluar nga Përmeti, Këlcyra, Tepelena, Memaliaj. Por gjithashtu edhe degët, sidomos dega më e rëndësishme që është lumi Drinos – me Gjirokastrën si bashki, duke përfshirë dhe duke shkuar deri në Selenicë ku kemi dhe një tjetër degë të rëndësishme të këtij lumi që është lumi i Shushicës. Është një punë e gjatë që kurorëzohet sot, një negociatë shumë e gjatë dhe përgatitje teknike edhe studimore”, u shpreh Kumbaro.