Nga Raimonda Moisiu
‘Artist i Merituar’, tenor i shquar korçar, tashmë i ndarë nga jeta, Piro Sulioti, lindi në qytetin e Korçës, në një lagje tipike autoktone korçare, me tinguj serenatash dhe motive nga muzika e lehtë korçare, në shtator të vitit 1924. Diku aty rreth moshës 20 vjeçare, nisi të këndojë tek ‘anketat muzikore’ të Radio – Korçës, dhe ka qenë pjesëmarrës në të gjitha aktivitetet kulturore, që organizoheshin në atë qytet, veçmas atë kohë, për artistët e rinj. Ende në moshë të re, largohet nga Korça, dhe shkon me studime në degën e infermierisë, Tiranë, ku diplomohet si ndihmës- mjek. Aty aktivizohet në aktivitete të ndryshme artistike, muzikore e kulturale, dhe shumë shpejt u bë i njohur në të gjithë vendin, si një këngëtar i ri nga Korça.
Përveç serenatave edhe këngëve me motive ushtarake që artisti korçar Piro Sulioti këndonte, tek Ansambli Ushtrisë, ai bie në sy të kompozitorëve të shquar, për vokalin e tij të pastër e të kthjellët, dhe më 1954–ën, kompozitori Kristo Kono, do i besonte rolin kryesor të operetës së parë Shqiptare “Agimi”, në rolin e “Sokolit”.
Rreth këtyre viteve, e për disa dekada, do të interpretonte këngët karakteristike korçare, duke arritur të bëhej një nga tenorët kryesorë të Grupit Karakteristik dhe historik, “Lira”, të Korçës, rol që e ruajti deri në fund të jetës së tij.
Më pas do të sillte në dritë një buqetë me këngë popullore korçare, (shumica e tyre ende nuk janë kënduar) dhe do të vlerësohej me çmime të ndryshme nëpër festivale dhe anketa muzikore të asaj kohe. Do të këndonte edhe para udhëheqjes së lartë të shtetit socialist, për Enver Hoxhën dhe për udhëheqësit e tjerë të asaj kohe.
Ishte këngëtari i vetëm shqiptar, që rreth viteve ’60-të, këndoi para Hrushovit, në vizitën që ai bëri në qytetin e Korçës. Artisti korçar nuk e “dehu” udhëheqësin sovjetik, vetëm me serenatat, këngët popullore korçare dhe këngët ruse, por e dehu edhe me raki mani Hrushovin, sa do i vinte qeleshen në kokë atij, në qejf e sipër, një lloj “qejfi”, që vetëm këngëtarët gazmorë e të talentuar të Korçës, dinë ta ndezin.
Në vitin ’68-të udhëtoi me Ansamblin e Këngëve dhe të Valleve Popullore, krahas legjendës të muzikës shqiptare, artistes së famshme ikonë, Vaçe Zela, dhe me artistë të tjerë në Kinë, për të kënduar para Mao Ce Dun-it, etj. Në vitin 1978-të, Piro Sulioti do vlerësohej me çmimin e madh “Artist i Merituar”. Inamorimi edhe pasioni për pentagramin, e bëri që të kthejë muzikën edhe artin, në një traditë familjare.
Djali i tij, është tenor i famshëm Gjergji Sulioti, gjithashtu edhe vajza, Zhani Sulioti, personazhi i kësaj interviste, është mësuese muzike. Serenatat korçare edhe muzika karakteristike e atij qyteti, kurrë nuk u ndanë prej Piros, ishin gjithmonë miq duke e shoqëruar atë, deri në momentet e fundit, madje edhe kur sëmundja edhe pleqëria e kishin dobësuar, ai vazhdonte të këndonte. Një jetë që i ngjan një romani apo drame, në sprovën e udhëtimit të trishtë e të bukur të jetës.
Një rrëfim klasik për një gjeni klasik të artit e të muzikës, për ‘Artistin e Merituar’, tenorin e shquar korçar, Piro Sulioti, vjen në këtë intervistë nga vajza e tij, znj. Zhani Sulioti. Artistit korçar i ka pëlqyer gjithmonë të luajë me muzikën, herë me serenatën, herë me këngët e lehta, herë me ato populloret dhe herë në opera, duke dhënë përmes lidhjeve të tyre, mesazhe për të tashmen, ruajtjen e vlerave muzikore të traditës dhe kulturës shqiptare. Për më shumë ndiqni në këtë intervistë.
– Znj. Zhani, së pari ju falenderoj, që pranuat të jepni këtë intervistë, për të risjellë në kujtesë ‘Artistin e Merituar’, një nga tenorët më të shquar të muzikës shqiptare, Piro Sulioti, i ndarë tashmë nga jeta. Si ndjeheni për këtë intervistë, e ndjeni homazh apo, një përcjellje të vlerave qytetare, kulturore e historike të Korçës sonë?
Do të dëshiroja t’ju falenderoj përzemërsisht, për mundësinë që më ofruat, të kujtoj e sjell në vëmendjen e publikut artdashës korçar dhe gjithë shqiptarëve, meritat edhe vlerat e babait tim, që shumica e pushteteve që shkojnë e vijnë, por e kanë lënë në harresë, tenorin e shquar të grupit historik “LIRA”, të Korçës, sikundër e theksoni edhe ju, në pyetjen përkatëse, ‘Artistin e Merituar’, Piro Sulioti.
Artisti korçar dhe ati im, Piroja, është ndarë vetëm fizikisht nga jeta, se për ne, birin dhe bijat e tij, familjarët e e shumtë, ai është këtu, mes nesh. Nga vokali, nga serenatat, nga këshillat, dhe sidomos nga humori i tij, plot sqimë, hare dhe i spikatur që e shoqëroi një jetë të tërë. Sigurisht, kjo intervistë është homazh dhe requiem, sepse një artist si Piro Sulioti, me vlerat e tija të jashtëzakonshme, nuk mund të lihet në harresë. Ai na ka lënë një pasuri të madhe artistike. Nuk e ekzagjeroj, edhe po të thoja me plot bindje e gojë, se është i pazëvendësueshëm.
– Familja Sulioti është një familje autoktone qytetare dhe intelektuale korçare. Cilat janë kujtimet tuaja që nga fëmijëria, si u gjend ati juaj, tenori i shquar Piro Sulioti, në rrugën e bukur të artit të muzikës? E pati të trashëguar gjenin muzikor, apo ishte dhunti e tij?
Normalisht, që do kishte një trashëgimi familjare, fakt që ruhet me fanatizëm deri në ditët e sotme, te familja Sulioti dhe pasardhësit e saj. Ashtu si tenor i mirënjohur, vëllai im Gjergji Sulioti dhe unë, personalisht, nipërit dhe mbesat, vazhdojmë me përkushtim talent dhe dashamirësi, traditën familjare muzikore. Kujtime pa fund nga babai im, por edhe nga shumë qytetarë të tjerë të Korçës sonë, sidomos artistë, që kishin marrëdhënie miqësore me babain dhe familjen tonë.
Piroja e ka pasur pasion muzikën që në fëmijërinë e tij. Ka nisur të këndojë me shokët që në moshë të hershme, dhe vazhdoi të jetë pjesëmarrës aktiv në anketat muzikore te Radio Korça dhe arriti deri në skenat e Republikës Popullore të Kinës, me ansamble të ndryshme të vendit, në turnetë e zhvilluara asokohe. Gjithashtu, deri në fund pothuajse të jetës së tij, mbeti një nga tenorët kryesorë të grupit karakteristik të Korçës, të famshmin “LIRA”.
-A mund të na përshkruani momente nga eksperienca e tij? Kur ka filluar të këndojë? Cila është kënga e parë, që ka kënduar?
Ka filluar të këndojë qysh herët, sikundër e theksova më lart, por si këngëtar amator, fillon të njihet afro viteve ’40-të. Fati i babait tim, ishte që këndonte në shumë repertorë, si; serenata, këngë të muzikës së lehtë, këngë popullore, këngë të huaja, por edhe këngë lirike nga opera. Këngët e para të tij, veçmas ato që patën sukses të madh, dhe interpretohen ende edhe sot (por jo ai lloj interpretimi i babait tim), ka qenë “Jorgjica”, “I pabesë”, “Dje mbrëma”, etj.
-Ç’mund të na thoni për influencat e tij muzikore në muzikën e lehtë, popullore dhe serenatat? Po në opera?
Për muzikën lirike më 1954-ën, i madhi Kristo Kono, do i besonte rolin kryesor të “Sokolit”, tek opereta e parë shqipe “Agimi”, e cila pati një sukses të jashtëzakonshëm. Madje, atë rol historik, ma dedikoi mua, bijës së tij, që sapo kisha lindur. Por, muzika lirike ende s’kishte hedhur rrënjët tek kultura e vendit, shkak që largoi shumë artistë, midis tyre edhe Piron.
Këngët popullore i këndonte zakonisht nëpër dasma dhe në gëzime familjare, duke mbajtur kështu, gjallë, traditën e qytetit. Sa për këngët e lehta edhe serenatat, ato ishin gjith’ jeta e tij, nuk i ndau kurrë nga vetja, ishte gjithmonë në formë për t’i kënduar çdo çast. Kujtoj ditët e fundit të jetës të tij, aty në shtrat i shtrirë, këndonte gjithmonë serenatat e veta. Ashtu si atëhere, me të njëjtin ritëm, por me vokal të dobësuar, nga pleqëria.
-Ati juaj, është i njohur kryesisht si një nga tenorët kryesorë të grupit karakteristik korçar “Lira” dhe si një adhuruese e hershme e tij, vija re një mirëkuptim, mes dinamikës së muzikës, të kënduarit dhe interpretimit emocional, e cila u jepte fuqinë e tingujve, melodisë së serenatave, të këngëve popullore, të lehta, baladat apo ato me ritëm ushtarak. Ç’mund të na thoni për këtë?
Piroja kishte një emocion të jashtëzakonshëm, përsa i përket këngës dhe muzikës në tërësi. Për çdo këngë frymëzoheshe ndryshe, nuk e di se si arrinte të interpretonte gjithmonë, në bazë të frymëzimit. Çuditërisht i ndryshonte mimika e fytyrës, qëndrimi në skenë, etj. Buzëqeshja ose trishtimi, vizatoheshin dhe rrezatonin tek publiku. Adhuronte gjithmonë duartrokitjet edhe gazin e publikut. Dashuria për serenatat edhe qytetin e lindjes, Korçës, e bëri që t’i kthehej, “Qytetit të Ëndrrave”, dhe të mos vazhdonte karrierën në Tiranë. Shprehej gjithmonë, që; “Serenatat me Korçën, janë si peshku me ujin. Nuk mund të rrojë jashtë tij”.
– Në televizione të ndryshme e rrjete sociale, qarkullojnë këngë dhe filmim të arkivave, të koncerteve, që tenor i shquar Piro Sulioti, ka dhënë brenda e jashtë atdheut. Ç’mund të na thoni për këtë?
Është një pjesë e vogël e tyre, sepse shumica gjendet e mbuluar nga “pluhuri i harresës”, tek arkivat e ndryshme të Radios e të Televizionit. Normalisht, që pjesa më e madhe, nuk është e filmuar ose e incizuar, sepse atëhere, ka qenë një tjetër kohë, shtypi i shkruar dhe media vizive, pothuajse kanë qenë inekzistente, kështu që producenti ishte vet artisti, ose shteti.
Për dekada vitesh tëra, koncertet që babai dha në Jugosllavi, në Greqi, në Kinë, në Bashkimin Sovjetik, në Rumani, etj., ishin të bllokuara, për hatër të sistemit socialist të vendit. Por të gjitha këto, babai na i kaloi në memorie dhe ne nuk i harrojmë kurrsesi, shumicën e aktiviteteve apo të historive të ndryshme të tij.
-Cilat kanë qenë disa nga koncertet dhe takimet me personalitete të rangut të lartë, që i patën lënë më shumë mbresa, babait tuaj? Ndonjë eksperiencë të veçantë gazmore, apo të trishtë, ju ka treguar babai?
Babai im ka dhënë koncerte para shumë personaliteteve të rangut të lartë të sistemit dhe regjimit të kohës, kur arti dhe muzika bënin shumë për realizmin socialist, miqësinë sovjeto-shqiptare, dhe Revolucionin Kulturor Kines. Ka dhënë dhjetëra koncerte për Enver Hoxhën, për Mehmet Shehun, për Ramiz Alinë, për Mao Ce Dun-in, Hrushovin, etj.
Eksperiencat gazmore e të trishta që ai na rrëfente, ishin pothuajse të përditshme dhe vija re si artist në shpirt e talent, babai i ndjente dhe i vuante më shumë se kushdo tjetër. Më kujtohen historitë me humor që tregonte nga Kina, mallëngjimi edhe përlotjet në Kosovë, por edhe shumë raste të ndryshme, për kolegët e tij këngëtarë.
– Kam dëgjuar dikur të flitej për babain tuaj dhe artistin korçar, Piro Sulioti, se aty rreth viteve ’60-të për vizitën e Hrushovit në Korçë, ai jo vetëm këndoi para tij këngët e famshme ruse, por edhe në qejf e sipër, kërceu me të. A mund të na i përshkruani atë moment? A pati kritika më pas apo vlerësime?
Ky episod, në fakt është unë i veçantë, interesant e tejet mbresëlënës, por edhe për vetë “bujën” që bëri atë kohë, sa përflitej për një kohë relativisht të gjatë, mes vetë artistëve dhe publikut korçar. Vizita Hrushovit në Shqipëri, në qershor të 1959-ës, ishte një nga vizitat më të rëndësishmet për sistemin e kohës. Organizatorët e një koncerti special për nder të tij në ditën e fundit të qëndrimit të Hrushovit në Shqipëri, thirrën Piron, për të kënduar aty në atë koncert.
Babai e përshkruante Hrushovin, shumë njeri të thjeshtë edhe gazmor, me aq sa ai komunikoi dhe e njohu atë Hrushovi, pasi hëngri peshkun ‘krap”, të porositur nga vetë ai, piu edhe rakinë e manit, u bë çakër-qejf dhe nisi të kërcejë vallen karakteristike ruse me babain, kur Piro për një moment ekzaltimi, ia rrëmben një valltari qeleshen dhe ja vendos në kokë Hrushovit.
Ndërsa kërcenin të dy të përqafuar dhe Hrushovi me qeleshen shqiptare në kokë, qeshte e thërriste; “Spasiba, spasiba”! Ky ishte një veprim i pa papritur dhe befasues për zyrtarët e kuadrot e partisë. Një pjesë e tyre u alarmua, duke kërcënuar Piron, për pasoja apo dënime që mund të kishte, pas kësaj. Por u desh ndërhyrja e Enverit, personalisht, që shmangën peripecitë dhe pasojat politike për babain.
– A ka shkruar poezi apo tekste këngësh dhe serenata, babai juaj?
Jo, babai nuk ka shkruar poezi, apo tekste këngësh. Piro ka ndihmuar poetët dhe kompozitorët, thjesht nga eksperienca e tij si këngëtar, por nuk mund të them, se ka qenë poet. Serenata, mund të them; po, se shkruanin dhe u këndonin çupave korçare, gjith’ meshkujt e dashuruar të Korçës, dhe ma merr mendja, që brenda tyre, është edhe babai im. Më 1967-ën, nisi të shkruajë një roman, (diku e kam ruajtur), por që nuk e mbaroi kurrë.
-Përpos portretit dhe staturës intelektuale, por edhe talentit e kontributit të tij në muzikë, ai i keni mbledhur ato në CD, apo album? Nëse po, cili është roli hulumtues i tyre?
Këtu më jep mundësinë të hap një tjetër çështje madhore për diskografinë shqiptare. Në shumicën e rasteve, këngët, koncertet, filmimet etj., janë sikundër përmenda edhe më lart, janë të arkivuara dhe as kush nuk mund t’i marrë. Kjo më duket vërtet absurde, sepse edhe autori vetë, nuk mund t’i tërheqë nga arkivi.
Shumica e këngëve janë në “errësirë”, se askush nuk merr kurajën, guximin dhe iniciativën, që këto pjesë të çmuara të kulturës shqiptare, të dalin në dritë, për të parë, jo vetëm këtë trashëgimi dhe identitet të artit e muzikës shqiptare, por edhe dritën që ato kanë lënë pas, për brezat e ardhshëm, për kulturën dhe historinë e saj, qoftë qytetare korçare, por edhe kulturës shqiptare në tërësi.
Vërtet nuk ndjehem mirë për këtë dhe më vjen shumë keq, se babai im, Piro, u mundua për vite të tëra, por arriti vetëm të mbledhë dy copë. Shumica e tyre, janë bërë ilegalisht në CD-i, duke i hedhur në treg, pa u ditur të drejtat e autorit dhe pa marrë lejë nga askush. Unë ju bëj thirrje: “Ju lutem, na jepni ato që i përkasin babait tonë”!
–Cili është mesazhi juaj, në vlerësimin e mos harresën e vlerave të tilla?
Vlerësimet, janë subjektive, vijnë dhe ikin me kohën, modën, regjimin, etj. dhe boshllëqet duhet t’i zgjidhim, traditën, ta vazhdojmë dhe të përhapim sa më shumë kulturë, e muzikë. Artistët duhet të inkurajohen, jo vetëm për të identifikuar artin, kulturën muzikën dhe zgjidhjen e situatave jo të këndshme, në dëm të artit, traditës e trashëgimisë kulturore e muzikore. Për këtë, nuk duhet të kemi as frikë, as zemërim, as xhelozi.
Duhet të kemi urtësi, ashtu sikundër kanë pasur kjo elitë e shquar e brezit të artë të artistëve, që nga Vaçe Zela, Ramiz Kovaçi, Avni Mula, Gaqo Çako, Kristo Kono, Piro Sulioti, etj, etj, ndjesë nëse nuk kam përmendur ndokënd, se janë shumë. Të përmendim, të sjellim në vëmendje dhe të kujtojmë historinë dhe ikonat e artit për art, dhe jo për treg.
Të mundohemi të bindim shoqërinë shqiptare dhe trupat e ndryshme të muzikës për drejtësi artistike. Dhe jo vetëm kaq! Të mos harrojmë se dikur në këtë vend, ka pasur artistë, që kanë shkrirë shpirtin, vrullin, talentin dhe dëshirën, vetëm për një duartrokitje, për një buzëqeshje, për një dinjitet, pa klipe, pa menaxhere, pa intervista, pa social-media dhe studio me aparatura, jo për tregti, por për të bërë histori. Dhe ia dolën! Ata bënë historinë! Memorie.al