Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se shtetet jodemokratike në Ballkanin Perëndimor janë rrezik për sigurinë dhe paqen në rajon.
Sipas tij, dallimi etnik nuk është ai që shkakton konflikt, por autokracia në Beograd e ndërlidhur me despotizmin në Moskë. Kurti tha se Kosova ka paralajmëruar kaherë për rrezikun për sigurinë nga shtetet jodemokratike në rajon, por siç ka shtuar ai “këtë gjë hollësisht dhe thellësisht sikurse Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk mund ta dijë askush”.
“Konfliktet nuk janë ndëretnike, nuk është dallimi etnik ai që shkakton konflikt. Por është autokracia në Beograd e ndërlidhur me despotizmin në Moskë. Ne kemi paralajmëruar kaherë që shtetet jodemokratike edhe në rajonin tonë jo vetëm në lindje të Evropës janë rrezik për sigurinë dhe paqen. Natyrisht që këtë gjë hollësisht dhe thellësisht sikurse SHBA nuk mund ta dijë askush. Ajo çka bëjmë ne është se përgatitemi maksimalisht me krejt çka mundemi dhe dimë, andaj përuruam këtë qendër shtetërore për siguri kibernetike, për trajnime të cilat do të merren dhe do të ofrohen aty”, tha Kurti.