Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro e ftuar në emisionin ka sqaruar ligjin për Zonat e Mbrojtura të miratuar së fundim në Parlament, por që është kundërshtuar nga opozita.

Në një intervistë për emisionin “Kjo javë” të gazetares Nisida Tufa në News 24, teksa mbron ligjin, nënvizon se drafti ka shumë përmirësime krahasuar me propozimin fillestar të deputetëve.

Ministrja kishte edhe një përgjigje për të kritikat e opozitës, duke thënë se të “anatemosh ata që investojnë është një dritëshkurtësi”

“Draft ligji përfundimtar që u votua ka pasur shumë përmirësim nga drafti i propozuar, sepse u morën në konsideratë edhe mendimet e organizatave mjedisore edhe opinionin e qeverisë dhe përgatitën një draft të ri për të vendosur ato vijat e kuqe që nuk duhen kaluar, por edhe duke gjetur një ekuilibër më të qëndrueshëm midis interesave të zhvillimit të ekonomive lokale. Është abuzive kur thuhet se kjo bëhet për disa kompani.

Nëse qeveria shqiptare ka ndërtuar mekanizma ligjore për të nxitur investimet në vend kjo është detyra e parë.

Ne kemi thënë që kemi energji të rinovueshme. Kemi thënë që do ruajmë lumenjtë dhe ishte kjo mazhorancë që 480 km vijë lumore e shpall park kombëtare që nuk preket.

Do ketë disa vende që do zhvillohen turizmi. Të anatemosh ato njerëz që investimet e tyre i hedhin në këto sektorë do të thotë të jesh dritëshkurtër ose të mos duash këtë vend. Të parën nuk e mendoj, se nuk ka shqiptar që nuk e do Shqipërinë, kështu që qëndrojmë tek dritëshkurtësia e opozitës”, tha Kumbaro.

Po ashtu, ministrja komentoi edhe reagimin e delegacionit të BE, duke thënë se ata në një deklaratë u shprehën se “do të ecin bashkë dhe do të konsultohen për çdo hap”.

“Për partnerët evropian apo SHBA mirë është mos të flasim me abuzime apo hipoteza, qofte ne qoftë opozita. Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me partneret dhe ditën që u miratua ligji në parlament besoj që delegacioni i BE u shpreh qartë ku në një deklaratë tha se do të ecim bashkë dhe do konsultohemi bashkë për çdo hap që do ndërmarrim”, tha Kumbaro.

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”