Policia greke ka arrestuar një 44-vjeçar shqiptar, i cili dyshohet se ka qenë i përfshirë në ekzekutimin e katër anëtarëve të një klani mafioz malazez në periferi të Athinës.

Abas Rabi, sipas Balkan Insight, kreu vrasjet në kryeqytetin grek dhe në ishullin e Korfuzit në vitin 2020.

Policia thotë se Rabi ka ndihmuar në ruajtjen dhe transportin e armëve të përdorura gjatë vrasjeve në periferi të Athinës, si dhe në arratisjen e anëtarëve të bandës pas vrasjes në Korfuz, nga Sivota në Halkidiki dhe më pas jashtë vendit.

Shqiptari u arrestua më 27 shkurt dhe në shtëpinë e tij u gjetën një armë, karikatorë dhe 40 fishekë.

Dosja i është dorëzuar prokurorisë, ndërsa shqiptari është dërguar për t’u marrë në pyetje. Viktimat e ekzekutuara në Greqi janë anëtarë të klanit mafioz malazez Sljara. Igod Dedovic dhe Stefan Stamatovic u vranë në një restorant në janar të vitit 2020, teksa po drekonin me familjet e tyre.

Në korrik të atij viti, dy anëtarë të klanit tjetër mafioz Skaljar, Alan Kozar dhe Damir Hadzic u vranë gjithashtu në një vilë në plazhin Halikouna të Korfuzit.

Balkan Insight shkruan se pas vrasjeve fshihet një porosi me vlerë 1.5 milion euro, pjesë e një lufte mes dy klaneve famëkeqe, Kavaçi dhe Skaljarski.