Raporti i Heidit dhe Romeos në shtëpinë e “Big Brother” është komentuar mjaft ditët e fundit, teksa duket se mes tyre ka një krizë për shkak se, siç thonë ata, ka mungesë besimi. Të ftuar në studion e “Ftesë në 5”, Edi Deda dhe Gaz Ujkashi thonë se nuk besojnë te ndjenjat e Heidit për Romeon, ndërsa tek ai po.

“Si ka mundësi që vetëm në ‘Big Brother’ bie në dashuri kjo vajzë? Dhe në Itali dhe këtu. Nuk gjen dot burrë jashtë? Kjo është pyetja e parë që më vjen në mendje…”, u shpreh Deda me ironi, duke thënë se Romeo në këtë lojë e ka fokusin te dashuria, por Heidi jo.

Ndërkohë, edhe Gazi shprehet se nuk beson te ndjenjat dhe dashuria e Heidit, ndërsa nga ana tjetër Romeo është i përfshirë emocionalisht.

“Heidi është një lojtare që duke u përqafuar me Romeon shikonte kamerat, bënte gjeste… Romeo është totalisht i romantizuar dhe ajo sheh kamerat. Ajo i thotë unë të dua po ti pse s’ke besim tek unë, dhe këtë e ka bërë dhe në Itali. Heidi qeshi me të në dhomën e rrëfimit. Ajo po luan”, shprehet Gazi.

Duket se krisja që çifti po kalon është komentuar gjëresisht si lojë nga ana e Heidit. Dhe në fakt, të shumtë janë edhe banorët e “Big Brother”, që kanë ngritur pikëpyetje rreth vërtetësisë së ndjenjave nga ana e Heidit.

Një ndër to është edhe Roza, që prej javësh i ka thënë Heidit se në fakt, ajo është pjesë e lojës, pikërisht për shkak të flirteve që krijon me meshkuj. Mbetet për t’u parë sesi do të vijojë historia mes dy konkurrentëve dhe ndjenjës së tyre.