Lushnje, 6 Mars – Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu kanë inspektuar pasditen e sotme shkollën e re 9-vjeçare “Skënder Libohova” në Lushnje, një investim i Ministrisë së Arsimit dhe Bashkisë së Lushnjes.
“Shkolla 9-vjeçare ‘Skënder Libohova’ është rehabilituar plotësisht dhe ka zgjerim kapacitetesh, me 6 klasa më tepër, ku janë vendosur laboratorët e rinj. Pas rehabilitimit, shkolla do të shërbejë edhe si qendër komunitare”, tha Manastirliu.
Duke folur për investimet në vijim, Ministrja e Arsimit dhe Sportit u shpreh:
“Me buxhetin e ri 2024-2025 janë 40 objekte shkollore që do të rehabilitojmë në bashkkitë e vendit”.
Rikonstruksioni i shkollës “Skënder Libohova”, me një sipërfaqe të përgjithshme të ndërtimit prej 2,500m2, është një investim i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit në masën 85% dhe Bashkisë së Lushnjes në masën 15%. Investimi i kryer siguron kushte bashkëkohore, por edhe rritjen e numrit të klasave, duke mundësuar proçes mësimor pa turne për nxënësit e shkollës “Skënder Libohova”.
Është shtuar një ndertesë e re në godinen ekzistuese për rritjen e kapaciteteve pritëse me 6 klasa, si edhe është shtuar laboratori i TIK-ut, biblioteka dhe muzeu i shkollës.
Shkolla “Skënder Libohova” ka rreth 700 nxënës dhe mësues dhe është gjithashtu pjesë e projektit sportiv “Ekipet Sportive në Shkolla”, të mbështetur nga MAS.