Në një intervistë jashtë kornizave, mes shumë kujtimesh dhe emocionesh të një rrugëtimi aspak të lehtë, rrëfehet në “Mes dy botëve” nga Helidon Haliti në TVSH, Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë Zoti Balla, duke e shpërfaqur kështu figurën e tij jashtë dritës mistike që profesioni ja kërkon.
Alfred Balla shprehet optimist se drejtësia e re ka filluar të krijojë besim tek qytetarët, gjë që e ndjen dhe nga bisedat me miqtë.

“Në fillesat e punës së SPAK-ut ose në momentet që ne po e krijonim këtë strukturë, kolegë, miq dhe shokë diskutonin dhe u thosha që po vjen një ditë që nuk do të ketë më pandëshkueshmëri. Më thoshin mua: “E ke seriozisht, e beson? Absolutisht që jam i bindur, jo se e besoj, ndaj po e krijojmë.” Mos të harrojmë që është një proces i vështirë sepse të hetosh korrupsionin dhe krimin e organizuar kërkon vite punë dhe në shtetet e huaja pasi janë procedura që zgjasin shumë. Roli i drejtësisë është që njerëzit të kenë frikë të kryejnë vepra penale. Ka ardhur një situatë ku nga miqtë që punojnë nëpër ministrira të ndryshme më thonë: Shiko se nuk po realizojmë dot tendera?
-Pse? Sepse kanë frikë njerëzit të firmosin. Më fal.. njerëzit nëse janë korrekt, nëse zbatojnë vetëm ligjin, nuk kanë pse të kenë frikë. Frikë të kenë ata që kryejnë korrupsion apo që zbatojnë urdhrat e padrejta të një drejtuesi por jo nënpunësi i thjeshtë i cili e ka për detyrë ta bëjë atë procedurë. “Por mua më vjen mirë që perceptimi i qyetarëve te drejtësia po kap nivele shumë pozitive”, nënvizon Balla.

Në fushën e drejtësisë ka punuar në shumë sektorë, duke nisur nga prokuror, tek avokatia, Gjykata e Lartë dhe inspektor në Këshillin e Ministrave. Në gjithë këtë eksperiencë 33-vjeçare, padiskutim trazirat e vitit ’97 kur vendi u zhyt në kaos, edhe për kreun e KLP-së Alfred Balla kanë qenë një moment jo i lehtë.

“Fillova punë si 22 vjeç prokuror, në fillim në Fier më pas në Prokurorinë e Lushnjes me atë idealin për të bërë shtet të fortë të së drejtës. Por dhe me vështirësitë kuptohet, kur punon në rrethin tënd, ku të njohin të gjithë i madh e i vogël. Por dhe prokurorët e vjetër që gjeta në detyrë ishin shumë të mirë, të edukuar mbase me një frymë tjetër, dhe na bënë që ne të ishim me këmbë në tokë. Unë isha i komanduar nga fundi i vitit 96 prokuror në Prokurorinë e Fierit me urdhër të Prokurorit të Përgjithshëm dhe kisha një mbledhje në janar mos gaboj të ’97-s. E lash Lushnjen e qetë dhe vij në Tiranë, mbaroj punë në Prokurinë e Përgjithshme. Unë do nisesha për në Lushnje kur na vjen lajmi që atje “ka plasur”. Është ngritur populli i Lushnjes gra dhe burra dhe kanë dalë para bashkisë”, thotë ai.

Në një kohë që burgjet do të hapeshin duke dalë dhe shumë të dënuar, Alfred Balla do të vijonte detyrën e tij në Lushnje. Për të dhe familjen e tij nuk ishin momente të lehta, edhe pse thotë se zbatimi me korrektësi i ligjit bëri që të mos pësonte asgjë dhe të lëvizte normalisht nëpër qytet. “

“Ka qenë e vështirë. Në fakt kush ishin prokurorë që ishin banorë të rretheve të tjera me urdhër të Prokurorit të Përgjithshëm u detyruan të largoheshin dhe aty mbetëm vetëm ne prokurorët lushnjarë. Të bënte përshtypje se deri në ato vite asnjë qytetar nuk e mendonte se një ditë do të hapeshin burgjet dhe gjithë ai kontigjent që ti i kishe dënuar, do të dilnin në rrugë dhe do të ndesheshe me ta. Mesatarisht unë bëja 3 gjyqe në ditë, imagjino sa mund të jetë numri i personave që kemi proceduar, se unë isha prokuror sektori gjyqësor që merrja pjesë në gjyqe. Por për hir të së vërtetës nuk pata probleme. Dilnim hapur, sheshit mes Lushnjes. Nëqoftëse je korrekt me qytetarët, në fund të fundit dhe ai që është krimineli më i madh në subkoshiencën e tij ai e di që ka bërë një faj dhe ka bërë një gabim, do mundohet si çdo njeri që t’i shpëtojë ose ti’ ulet dënimi, por e di që marrëdhënien se ka me Fredin, por e ka me veten dhe me ligjin”, u shpreh kreu i KLP-së.

Një moment i veçantë në jetën e kreut të KLP-së zënë dhe zhvillimet politike në vitet ’90 që përkojnë me ndryshimin e regjimit. Ajo kohë do e gjente Ballën student në Tiranë. Edhe pse një nga pjesëmarrësit e lëvizjes së dhjetorit, Balla nuk e fsheh edhe një lloj zhgënjimi me vitet që pasuan, teksa deklaron se priste një zhvillim më të shpejtë gjatë këtyre 30 viteve. “Jam student i dhjetorit ’90. E kujtoj me nostalgji atë ndjenjë, sidomos atë kur u bashkuam me popullin e Tiranës, kuptohet me pjesën më të ndërgjegjshme. Para se të krijohej PD-ja, u krijua Lëvizja Studentore. Pas takimit që pati një grup studentësh në pallatin e Brigadave me Ramiz Alinë dhe të nesërmen miqtë, kolegët dhe shokët e mij studenta Arben Ristani, Kreshnik Spahiu, Andi Çeliku më thonë? Alfred do firmosim që të krijohet kjo. U thashë dakord. Po s’ke frikë?- më thanë. Hajde mo këtu u thashë.
I përjetuam ato vite me vrull rinor dhe tani shohim që kaluan 33 vite dhe kthejmë kokën pas, e shohim nëse kemi vepruar mirë, apo s’kemi vepruar mirë?! Çfarë ka shkuar dhe çfarë nuk ka shkuar?! Prisja që të zhvilloheshim më shpejt me thënë të drejtën, se ikën 33 vite dhe djali më shkoi 20 vjeç dhe vajza 25. Kam qenë në moshën e tyre kur isha student dhe mendonim se për një 10-vjeçar ne do ta kishim kapur atë ritmin e Europës Perëndimore”, deklaroi Balla.

Edhe pse ia përkushtoi jetën drejtësisë, gjatë fëmijërisë së tij në Lushnje, kreu i KLP-së ka rrëfyer se është marrë me sport, ndërsa ka pasur një pasion të veçantë dhe për pikturën. “E vërtetë është unë nuk kam luajtur shumë futboll, por ju përkushtova atletikës në fakt për disa vite. Deri në gjimnaz jam marrë me atletikën. E kisha pasion vizatimin, biles në klasë u bëja vizatime edhe disa shokëve të mi”, shtoi më tej ai.