I dërguari i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimir, Gabriel Escobar, ka mbërritur në godinën e qeverisë së Kosovës ku do të zhvillojë takimin me kryeministrin Albin Kurti. Disa ndër temat që do të diskutohen mes tyre, pritet të jenë çështja e dinarit dhe dialogu Kosovë-Serbi. Një ditë para nisjes së vizitës në Kosovë, Escobar nga Brukseli bëri disa vërejtje të ashpra për komunikimin diplomatik me kryeministrin Kurti, duke pranuar se ka përçarje.
“Partneriteti në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës është mes popullit amerikan dhe atij të Kosovës, nuk depërton përmes një njeriu në Kosovë, apo një partie. Mirëpo, më duhet të them që aktualisht kemi probleme në komunikim me kryeministrin”, tha Escobar.
Ai shtoi se jo vetëm SHBA ka probleme në komunikim, por është problem që e ka Kosova edhe me BE-në, NATO-n, Mbretërinë e Bashkuar dhe më shumë partnerë, përfshirë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“Situata në Kosovë është e tmerrshme, prandaj më duhet ta vizitoj Kosovën”, deklaroi ai më parë.
Escobar ndërkohë sot ka vizituar Manastirin e Deçanit i shoqëruar nga ambsadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier. Vizita e tij në këtë Manastir vjen vetëm një ditë pasi kryeministri Kurti bëri të ditur se i ka kërkuar Agjencisë Kadastrale të Kosovës që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese mbi pronat e këtij Manastiri. I dërguari i SHBA-ve ka vizituar edhe Komunën e Pejës ku ka takuar kryetarin Gazmend Muhaxheri, përfaqësues të shoqërisë civile dhe mediave nga Gorazhdeci, si dhe të rinjtë nga komuniteti shqiptar, serb dhe boshnjak në këtë komunë. Escobar nga atje tha se pa që njerëzit po vuajnë dhe se kanë vështirësi reale për marrjen e pensioneve të tyre. Për jetesën e serbëve në Kosovë, ai tha se do të bëjë përgjegjëse Prishtinën zyrtare. Ai shtoi se serbët në Kosovë dhe të gjithë që jetojnë atje, duhet ta ndiejnë mbështetjen e SHBA-së.