Kush ka ndjekur ngjarjet e dy ditëve të fundit, nuk duhet të jetë habitur vetëm nga lajmi se dhëndri i Donald Trump mund të investojë në Ishullin e Sazanit, por më shumë akoma duhet të jetë habitur nga qëndrimi i PD së Berishës për këtë të fundit. Fillimisht me heshtje totale nga thuajse të gjithë deputetët dhe përfaqësuesit e opozitës, a thua se flasin dhe heshtin me regji. Në vijim, vetëm deklarata pozitive dhe mikpritëse, shoqëruar tek tuk me ndonjë sharje për Edi Ramën dhe Qeverinë mbi përfshirjen e krimit dhe oligarkëve në investimet e tjera të së shkuarës.

Në të ardhmen e afërt, nuk është çudi të ketë qëndrime edhe më entuziaste për këtë projekt konkret, të cilin mesa po duket, opozita e Sali Berishës nuk e kundërshton në asnjë element të tij.

Kjo jo sepse detyrë e opozitës është kundështimi domosdoshmërisht i çdo iniciative të qeverisë apo operatorëve privat të lidhur me projekte që i jep qeveria.

Por sepse kjo opozitë, e në veçanti Sali Berisha, aksionin e vet opozitar në parlament, rrugë, rrugicë apo dritare, e ka bazuar tek akuzat mjaft të rënda drejtuar pikërisht ndaj investimeve të ngjashme të miratuara po nga kjo qeveri më herët në kohë.

Nuk harrohen akuzat e Sali Berishës dhe deputetëve të tij për projektin e Portit të Durrësit dhe Alabarin, zhvilluesin e famshëm Arab. Nga falja e tokës tek akuzat për paratë e krimit, të Edi dhe Olsi Ramës si aksionerë në këtë sipërmarrje, Sali Berisha dhe deputetët e tij nuk e kanë kursyer në asnjë dalje. E njëjta gjë, disi më e përmbajtur e më institucionale po të konsiderosh dhe ankimin në Gjykatën Kushtetuese, ka ndodhur me investimin e Bechtel në hidrocentralin e Skavicës. Me pak fjalë, Sali Berisha dhe opozita, nuk ka kursyer asnjë rast pa sulmuar investime e investitorë të cilët i ka konsideruar si asete të Edi Ramës.

E kundërta po ndodh tani me projektin e lajmëruar për Ishullin e Sazanit. Të cilin mesa duket Sali Berisha është i gatshëm ta konsiderojë aset të vetin po aq sa të Edi Ramës.

Përfshirja e dhëndrit të Trump-it dhe e “sekserit” të tij Grenell, duket se i ka kyçur gojës Sali Berishës, ndërkohë që disa prej deputetëve të tij nuk i kanë kursyer deklaratat mbështetëse.

Pavarësisht se nga të dhënat paraprake, skenari duket thuajse identik siç me Portin e Durrësit. Dhëndri i Trump dhe Grenell përfshirë, tokën duket se do e marrin falas, përfshirja e shtetit tonë në investim duket se është sipas së njëjtës formulë siç është në rastin e Portit të Durrësit, fondet e mobilizuara duket se kanë të njëjtën origjinë arabe siç është edhe në rastin e Portit të Durrësit.

E vetmja gjë që ka ndryshuar, është “rraca politike” e investitorit. Ai i Portit të Durrësit duket që është pa ngjyrë tjetër veç ngjyrës së biznesit. Ndërsa ky i Ishullit të Sazanit, veç rreshtimit të qartë djathtas, njëjtë si Berisha, ka dhe një historik të pasur (nëpërmjet Grenell) të mbështetjes së Berishës sa herë i është dhënë rasti. Qëndrimin e Berishës dhe deputetëve të tij, duket që nuk e dikton shumë as dashuria për atdheun, as halli se Edi Rama po vjedh bashkë me paratë e krimit të organizuar. Më shumë se këto, Sali Berisha duket se ka një axhendë personale, para së cilës nuk vjen as atdheu e as lufta kundër krimit e korrupsionit.

Sikur ky i ishullit të mos ishte dhëndri i Trump dhe “ndërmjetësi” të mos ishte Grenell, i cili veç ndryshimit të emrit të liqenit të Ujmanit në Liqeni Trump, ka premtuar edhe rishikimin e vendimit për shpalljen non grata, nuk ka dyshim që do shihnim një tjetër Berishë dhe një tjetër opozitë. Pikërisht pse janë këta, nuk ka as vjedhje, as rrëmbim toke, as para të krimit, as aksionerë Edi me Olsi Ramën.

Për ne që shohim nga lajmet qëndrimet e Sali Berishës dhe deputetëve të tij, na intereson vetëm që ta ndajnë mendjen, për të dy rastet identike, ai i Portit të Durrësit dhe ky i Ishullit të Sazanit. Sali Berisha duhet të na thotë ka vjedhje tek të dy, apo tek asnjëri. Ka oligarkë, para krimi, përfshirje personale të qeveritarëve tek të dy, apo tek asnjëri.

Por njëri nuk mund të jetë hajdut e tjetri i ndershëm vetëm pse u ndryshojnë flamujt e partive, sipas parimit “hajduti im është më i mirë se hajduti yt”.

Ndërkohë që Sali Berisha dhe deputetët e tij ndajnë mendjen për këtë punë, ne të tjerët bëjmë mirë të ndajmë mendjen se Amerika (dhe të huajt në përgjithësi) kanë të njëjtët ndërmjetësa, të njëjtat interesa financiare dhe fitimi tek një vend kaq i vogël sa ky i yni, e nuk i ndryshojnë as nga flamujt e partive në shtetet e tyre e as nga flamujt e partive në shtetin tonë e në këdo tjetër. Ata duan vetëm të fitojnë, e po fituan shumë fare, akoma më mirë. Ata që duhet të hapin sytë për të ruajtur interesat e vendit dhe qytetarëve të vet, janë qeveritarët dhe opozitarët tanë. E kjo nuk mund të jetë çështje partish./ZËRI