Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin që ka të bëjë me ndryshime të rëndësishme në ligjin për sistemin e adresave në Republikën e Shqipërisë. Ministri i Brendshëm, Taulant Balla deklaroi se do të krijohet një regjistër unik, ku do të referohen të gjitha institucionet.
Ky regjistër do të zgjidhë përfundimisht jo vetëm problematikën e shërbimeve për qytetarët, por edhe për turistët për të gjetur lehtësisht një adresë.
“Bëhet fjalë për krijimin e një regjistri unik. Pas miratimit të ligjit dhe akteve të tjera nënligjore, do të kemi një regjistër unik të adresave që do të referohen të gjitha institucionet, në patronitetin e Ministrisë së Brendshme. Çdo banesë, çdo biznese, çdo ndërtesë do të ketë një kod unik i pa replikueshëm në Republikën e Shqipërisë. Kjo na mundëson që ti japim zgjidhje përfundimtare problematikave që lidhen së pari me ofrimin e shërbimeve e duhura te qytetarët, e dyta ka të bëjë me lehtësimin e mbërritjes në adresë, jo vetëm të shërbimit postar, por edhe turistëve. Një nga problematikat që kanë ngritur vitet e fundit turistët që kanë vizituar Shqipërinë, të cilët janë të mirëseardhur dhe këtë vit do të kemi një tjetër shifër historike, ne mundësojmë që përmes këtij kodi unik të banesës, të hotelit, të apartamentit në Airbnb, të jetë lehtësisht i arritshëm.