Durrës, 11 mars- Shkolla 9-vjeçare “Eftali Koçi” në Durrës ka marrë një pamje krejt të re pas rikonstruksionit total të ambienteve të brendshme dhe të jashtme, financuar nga programi EU4School, i Bashkimi Europian në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe Bashkinë Durrës.
 
Në ceremoninë e inagurimit të shkollës së re ishin të pranishëm, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, Ambasadori i BE në Shqipëri, Silvio Gonzato, Kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emirjana Sako, përfaqësuesesja e UNDP, Monica Merino, mësues, nxënës dhe përfaqësues të komunitetit lokal.
 
“Ne po ecim shpejt me programin e rindërtimit dhe jemi në prag të finalizimit të gjithë këtyre investimeve të mëdha që në fakt kanë ndërruar tërësisht faqen e shkollave tona me shkolla të rindërtuara me kapacitete të shtuara, me laboratorë tashmë modernë dhe në tërësi modernizimi i infrastrukturës arsimore për ne është prioritet mbi prioritetet”, tha Ministrja Manastirliu.
 
Investimi për rikonstruksionin e shkollës ka përmirësuar infrastrukturën fizike, si dhe e ka pajisur shkollën me laboratorë të rinj për IT, kimie, biologji, dhe fizikë, si dhe një palestër dhe terrene sportive moderne.
Gjatë bisedës  me mësuesit dhe nxënësit, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu vuri theksin te përfitimet që sjell ky investim për 542 nxënësit dhe 36 mësuesit e kësaj shkolle.
Ministria e Arsimit dhe Sportit do të vazhdojë të investojë në infrastrukturën e shkollave në vend si një nga prioritet e saj për përmirësimin e kushteve për mësuesit dhe nxënësit e të gjitha shkollave në vend.
 
“Vetëm për vitin 2024 ne kemi planifikuar së bashku me partnerët tanë me fondet e qeverisë dhe bashkive rreth 100 shkolla, të cilat përfundojnë pra rehabilitimin këtë vit dhe gjithashtu presim të hapim edhe 40 kantiere nëpërmjet programit të rehabilitimit të shkollave, pjesë e buxhetit 2024 të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit”, deklaroi Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.
 
Ndërkohë që përmes programit EU4School është investuar në 18 objekte të ndryshme arsimore në qarkun e Durrësit dhe në 64 në gjithë Shqipërinë.
 
“Kënaqësi që kemi qenë sot në një nga shkollat më të bukura që kemi parë në rindërtim nga përpjekjet që janë bërë me anën e programit BE-ja për shkollat dhe në fakt është vërtet kjo dëshmi e gjithë asaj pune që është bërë në 11 bashki të Shqipërisë me rindërtimin e rreth 64 institucioneve arsimore”, tha Ambasadori i BE në Shqipëri, Silvio Gonzato.
 
Infrastruktura shkollore dhe mbështetja e zhvillimit profesional të mësuesve do të vijojnë të jetë prioritet për vitin 2024, duke synuar një rritjen e cilësinë e arsimit në Shqipëri.