Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka publikuar sot letrën që Mit’hat Frashëri dërgoi më 3 mars 1921, në punimet e Konferencës së Paqes në Paris.
Në cilësinë e presidentit të delegacionit shqiptar, Frashëri shprehte gatishmërinë e qeverisë për të përmbushur detyrimet që rridhnin prej pranimit në Lidhjen e Kombeve.
Nga ana tjetër, përcillte keqardhjen për situatën kritike të shqiptarëve në territoret e Greqisë dhe të Serbisë, ku nuk respektoheshin të drejtat e këtij minoriteti.
“Në përputhje me popullsinë në territorin e aneksuar, shqiptarët duhet të kenë 4 përfaqësues në parlamentin grek. Megjithatë, këta deputetë nuk janë caktuar ende, gjë që bie në kundërshtim me ligjet kushtetuese. Minoriteti i shqiptarëve në Greqi është gjithashtu i privuar nga çfarëdo përfaqësimi”,- shpjegonte Frashëri.
Më tej në letër, patrioti i zellshëm informonte Lidhjen e Kombeve se shqiptarët në Serbi ishin subjekt keqtrajtimesh, që shpesh përshkallëzonin deri në fatalitete.
“Padrejtësi të ngjashme ushtrohen edhe nga qeveria serbe, e cila i mohon minoritetit shqiptar privilegjin e njohur të mësimit të gjuhës së tyre amtare, pavarësisht parashikimeve të Traktatit të Saint Germain-it, përmes të cilit mori përgjegjësinë për të respektuar të drejtat e minoriteteve”, – përmbyllte letrën Frashëri.