Tushemishti, fshati që ndodhet vetëm 5 kilometra larg Pogradecit vijon të tërheqë turistët në të gjitha stinët e vitit.
I cilësuar si një ndër fshatrat më të vizituar në vend, turistët tërhiqen nga bukuritë që ofron fshati, klima, kulinaria tradicionale si dhe mikpritja.
Në Tushemisht këtë sezon të ri turistik është shtuar edhe një atraksion i ri, pasarela e re ujore.
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga kjo pasarelë, ku qytetarët mund të shëtisin në këmbë ose duke përdorur biçikletën.
“Një nga pasarelat e reja ujore në Tushemisht që krijon një lidhje fantastike mes bregut dhe liqenit”, shkruan Rama.
Në Tushemisht po kryhen një sërë investimesh si shëtitorja e Tushemishtit, rehabilitimi i parkut ekzistues të Drilonit për ta zgjeruar atë deri te burimet e Gurasit. Po ashtu do të ndërtohet qendra e vizitorëve, 3 parkime publike, si dhe do të kryhet rikonstruksioni i fasadave të Tushemishtit.
Natyra e mrekullueshme, bregu i liqenit, burimet e ujit, klima e shëndetshme kanë krijuar kushte shumë të mira për zhvillimin e turizmit në Tushemisht.