Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në konferencën kombëtare për Arsimin dhe Formimin Profesional, vuri theksin tek rëndësia që ka kualifikimi i duhur i punonjësve për t’ju përshtatur industrisë së turizmit. Duke marrë shembullin e Malit të Zi, Rama tha se Shqipëria synon që të zërë vendin e parë për turizmin në rajon dhe ta përdorë këtë industri për të rritur pagat dhe të ardhurat. Por nënvizoi se që kjo gjë të ndodhë, duhet të rritet cilësia e shërbimit, në mënyrë që turistët që vizitojnë vendin të rikthehen sërish.

“Shqipëria ka mundësinë sot ta synojë jo vetëm vendin e parë me diferencë nga vendet e tjera të rajonit në turizëm në fund të kësaj dekade por ka detyrim që përmes kësaj industrie të sjellë një rritje trë vazhdueshme të të ardhurave dhe pagave. Por na duhet jo thjesht të kemi projekte më të bukura sesa tjerët, gjë që hap pas hapi po e bëjmë, jo thjesht të kemi më shumë investime çdo vit por edhe duke përgatitur rrugën për të kthyer këtë industri në një bazë të ardhurash të denja për punonjës të kualifikuar si duhet. Sepse nëse kjo nuk do të ndodhte, atëherë të gjitha të tjerat, do shumëzoheshin me diçka afër zeros. Për shkak se është cilësia e shërbimit ajo që i bën vizitorët të rikthehen”– tha Rama.
Më tej, kryeministri shtoi se në fushën e turizmit, qeveria dhe sektori privat kanë objektiva të njëjta por sipas tij, sektori privat duhet të marrë përsipër disa përgjegjësi më shumë sa i takon sistemit të arsimit profesional.

“Këtu interesat e qeverisë dhe sektorit publik e privat, janë plotësisht të përputhura por nga ana tjetër sektori privat duhet të marrë përsipër disa përgjegjësi më shumë. Duke filluar nga kontributi i drejtëpërdrejtë financiar për sistemin e arsimit profesional”– shtoi kryeministri.