KOSOVË-Kosova nuk ka ligj të veçantë, me të cilin do të përcaktonte valutën e saj kombëtare, por ka një urdhëresë administrative, e cila e përcakton euron si valutë për pagesa.

Në Kushtetutën e vendit, Neni 11, thuhet se si mjet pagese, duhet përdorur “një valutë e vetme”, por nuk përcaktohet cila.

Duke u thirrur në këtë nen, Banka Qendrore e Kosovës fuqizoi edhe një rregullore më 1 shkurt, e cila e specifikon euron si valutë të vetme për pagesat me para të gatshme në Kosovë.

Rrjedhimisht, dinari serb që përdorej në komunat me shumicë serbe në vend, u ndalua.

Radio Evropa e Lirë pyeti BQK-në dhe Qeverinë e Kosovës se përse vendi nuk ka ligj për valutën dhe a po punohet në këtë drejtim, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje prej asnjërit institucion.

Ekspertët e çështjeve juridike dhe ekonomike thonë se, në mungesë të një ligji specifik për valutën, rregullorja e BQK-së është “gabim në hapa”.

Dokurdo, sipas tyre, Kosovës do t’i duhet ky ligj.

Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi, thotë se urdhëresa administrative e UNMIK-ut është bazë ligjore për përdorimin e euros si mjet pagese në Kosovë.

Kur kjo është miratuar, thotë ai, ka pasur një “pajtim në heshtje” midis UNMIK-ut, partnerëve ndërkombëtarë të Kosovës dhe Bankës Qendrore Evropiane, dhe nuk është kaluar nëpër procesin e miratimit të kritereve.

“Çdo rregullore e UNMIK-ut mbetet në fuqi deri në rastin kur ajo nuk shfuqizohet me një ligj të veçantë”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Mejdi Bektashi, profesor i Ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, pajtohet se mungesa e një ligji të veçantë për valutën e Kosovës, nuk e bën të paligjshëm përdorimin e euros, meqë për të ekziston urdhëresa e UNMIK-ut./REL