Deputeti i PS-së, Plarent Ndreca teksa mori fjalën në komisionin hetimor për hetimin e koncesionit të sterilizimit dhe Check-Up-it, kritikoi kryetaren Albana Vokshi për qasjen e saj dhe akuzat, ende pa nisur punimet ky komision.

Ai tha se nuk duhet të paragjykohet kjo çështje, e cila do të merret nën shqyrtim nga ky komision.

“Më vjen keq që u nis në këtë mënyrë komisioni, duke iu referuar këtyre deklaratave që bëtë, keni paragjykuar këtë komision. Nëse konkludoni këtë gjë, fyeni këtë çështje, për të cilën ne do të hetojmë. Ne jemi ngritur për të hetuar, për të mos paragjykuar. Nëse vijojmë me deklarata partiake, ndërkohë ne jemi këtu për të dalë te e vërteta, e kemi nisur me këmbën jo të mbarë këtë komision. Do ju tërhiqja vëmendje zonja kryetare, respektoni kushtetutën. Për konstituimin e mbledhjes, ne nuk e kemi vendimin e zbardhur të seancës plenare. Duhet të kishim një vendim të zbardhur. Sot një prej anëtareve, mungon, Klodjana Spahiu, e cila është zëvendësuar. Sot duhet të zgjedhim dhe sekretarin e komisionit, që të vijojmë dhe punën.”, tha Ndreca. Ndërkohë, Vokshi iu përgjigj duke shtuar se këto dy cështje që do të diskutohen në komision, janë dy afera dhe skandale të mëdha. Mos harro se ky komision bashkedrejtohet.