Në Konferencën e Kryetarëve është rënë dakort që Rithemelimi do të ushtrojë të drejtën për ngritjen e Komisioneve Hetimore, duke filluar në këtë sesion parlamentar me ngritjen e dy Komisioneve Hetimore që u rrëzuan më 12 Tetor 2023. Është dakordësuar për të ngritur komisionin hetimor te koncesioneve ne shendetesi dhe rrjedhjen e të dhënave.
Është vendosur në parim që të ngrihen të dyja komisionet e mësipërme, që ishin edhe shkaku i nisjes së aksionit të opozitës në Kuvend që nga 19 Tetori 2023 e deri më sot.
Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, kreu i Grupit Parlamentar Socialist Bledi Çuçi e cilësoi një sinjal të mirë pjesëmarrjen e opozitës për t’u rikthyer në normalitet.
Lidhur me kërkesën e opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore, Çuçi tha se kjo e drejtë kushtetuese nuk i është mohuar.
“Sa i takon ngritjes së komisioneve hetimore ky ka qenë një pseudo-konflikt. Kërkesa duhet bërë sipas ligjeve dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Kemi qenë të qartë për përshtatjen e objekteve të komisioneve hetimore.
Nëse ne rregullojmë objektet e kërkesave për komisionet hetimore siç e kërkon ligji, ne jemi të hapur për të diskutuar”, ka thënë Çuçi.