Kryesuesi i Komitetit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Gjermanisë (Bundestag), Michael Roth tha se Serbia nuk mund të anëtarësohet në Bashkimin Evropian (BE) derisa në krye të Serbisë është Aleksandër Vuçiç i cili paralajmëroi të hënën bashkësinë perëndimore se duhet të zgjedhë mes Kosovës dhe Serbisë.
“Presidenti Vuçiç keqkuptoi diçka. Perspektiva e anëtarësimit në BE nuk vlen vetëm për Serbinë, por për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën. S’ka gjëra të tillë sikurse ‘ose Serbia ose Kosova’.

Por Vuçiçi ka të drejtë, me të në krye nuk ka asnjë mënyrë që Serbia të hyjë në BE”, shkroi deputeti gjerman në platformën “X” pas kërcënimeve të presidentit serb ndaj Kosovës.
Presidenti serb deklaroi në një paraqitje për shtyp se nëse “ata” zgjedhin Kosovën para Serbisë, atëherë shteti serb “do të presë momentin dhe do ta shfrytëzojë mundësinë” për – ndoshta – ndërhyrje ushtarake në Kosovë.

Megjithatë, shumë analistë të huaj konsiderojnë se shpresat e bashkësisë perëndimore se perspektiva evropiane e Serbisë do ta shtyjë Vuçiçin që t’u përmbahet normave demokratike në vend dhe të përmbahet nga minimi i vazhdueshëm i shteteve fqinje, tashmë janë thyer – Serbia vazhdon të marshojë sipas një daulleje krejt tjetër nga pjesa tjetër e kontinentit evropian.