Nga Ben Andoni
Nuk ka ditë që të mos dalë një lajm nga SPAK për hetime apo edhe akuza ndaj politikanëve qendrorë dhe të zgjedhurve lokalë. I fundit është kryetari në detyrë i Himarës, Goro por lista është bajagi e gjatë. Me këtë nivel akuzash dhe hetimesh, duket se Shqipëria drejtohet nga korrupsioni, ndërsa SPAK-u është institucioni i vetëm, që po e lufton me mundësitë e veta. Opozita për shkak se ka një numër të pakët kryetarësh bashkish dhe betejën e saj e ka në mbrojtjen e Bejlerit dhe kryesisht të Berishës, duket më “e relaksuar” por shumë pak bindëse qoftë edhe tashmë që argumentet në ndihmë po i vijnë nga të gjitha drejtimet. Dhe, pyetja normale është pse nuk bëhen dot bindës për opinionin publik, shumë njerëz të opozitës së sotme? Në teori, “opinioni publik s’është diçka ‘e lindur’, ai është tërësia e pikëpamjeve të përhapura (opinioneve) që ndërveprojnë me flukset e informacionit” (Sartori, 93).
Pse nuk mundet dot që opinionet dhe informacionin në publik, kjo opozitë nuk e shndërron dot në mirëfilli opinion publik? Kjo, pasi me propagandën e saj nuk lë asgjë në metodikë nga ajo që përcjell Rama, se faji është individual apo më keq akoma se akuzat bëhen thjesht nga maxhoranca. Më keq akoma, Drejtësia është në dorë të Ramës!!!
Në përshkrimin teorik, Sartori e lidhte këtë fenomen, që lidhet me opinionin publik, me përcjelljen e ideve nga elita; zierje e ideve nga baza e përpjetë; dhe e treta me identifikimin me grupet e referimit. Duke e thjeshtëzuar si skemë, pasi demokracia tek ne është ende e përfaqësuar nga vetëm PS dhe PD, dy forca politike, që shpesh janë treguar parapolitike: Atje ku mund të derdheshin si duhet opinionet nga elitat dhe njerëzit që e përhapin informacionin por edhe opinionin janë jo pak herë mesazhe pa bosht. Të kujtosh referimet e Bardhit & Co dhe mënyrën sesi përcillen deklaratat e politikanëve tek demos, në shumësinë e publikut masiv, lë jashtëzakonisht shumë për të dëshiruar. Mbi të gjitha, njerëzit që përfaqësojnë sot opozitën janë jashtëzakonisht të ndërvarur nga modelet që kanë përçuar në këtë 30 vite. Por mënyra dhe mënyra mediatike e tyre është gjithnjë e më e pabesueshme. Asnjë nga mjetet sesi shkohet sot drejt publikut nuk e zëvendëson dot bashkëbisedimin e drejtë me një anëtar të thjeshtë të PD-së. Megjithatë në kohët e fundit ka një rendje të njerëzve të Rithemelimit në bazë, ajo që nuk tregojnë dot është se pse kriza e tyre kaq e gjatë për interes nuk e përfaqësoj qoftë edhe një ditë të vetme nevojën e njerëzve për qeverisje të drejtë.
Shtojmë se kjo nuk mund të kuptohet se propaganda e dy anëve më shumë vlen për të justifikuar nga ana e PS-së, sukseset “e mëdha dhe të paarritshme” nga kundërshtarët, kurse nga ana e PD-së (Rithemelimit) se ata janë e ardhmja e vetme. I vetëm që ka mbetur mes korrupsionit tashmë është publiku, që u delegon këtyre politikanëve shpresën dhe drejtimin, atë nevojë që ata ua deformojnë qysh në momentet e para kur zënë ulëset në Parlamentin shqiptar për t’u vënë nën urdhrat e arkitektëve të 2008.