Turizmi në Shqipëri është kthyer në trend, sipas Radio France. “Objektivi i vendit mesdhetar është të mirëpresë 4 milionë turistë në vit dhe ndoshta një ditë të bëhet anëtare e Bashkimit Europian”, thotë media franceze.

Gazetari Philippe Lefebvre nuk i kursen lëvdatat për Shqipërinë si një destinacion të ri turistik, e mbi të gjitha, siç nënvizon ai, edhe si një vend më të përballueshëm në brigjet e Adriatikut krahasuar me Italinë dhe Greqinë. Niseni turin tuaj duke vizituar kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranën, e zbuloni atje edhe disa gjurmë të diktaturës së Enver Hoxhës, këshillon ai turistët e interesuar. Ato fillojnë me bunkerët e instaluar në qendër të kryeqytetit, të shndërruara së fundmi në galeri arti.

Më pas, vizitoni Muzeun Kombëtar të Përgjimeve të njohur si “Shtëpia e gjetheve”, hapur më 23 Maj 2017. “Shtëpia e gjetheve” ishte, në të njëjtën kohë shtabi i përgjimeve telefonike të kryeqytetit ku agjentët e Sigurimit, policia sekrete, mund të ndiqnin veprimet e përditshme të 40 mijë familjeve, thotë ai si për t`i shtuar mister këshillës për të vizituar vendin tonë. Të zbulosh Shqipërinë është shumë e thjeshtë, pasi vendi nuk është shumë i madh. Ju mund të arrini shpejt nga plazhet e Adriatikut në malin e Korabit, që arrin lartësinë 2753 metra.

Mos u largoni nga Tirana pa vizituar Selinë e Shenjtë të Bektashinjve, vazhdon reporteri e më pas, mund të merrni rrugën për në Berat dhe të zbuloni këtë qytet të klasifikuar si një vend i trashëgimisë botërore të UNESCO-s i quajtur ndryshe “qyteti i një mbi një dritareve”. Së fundi, përpara se të synonin mbërritjen në portin e Durrësit dhe plazhet e qytetit, mos humbisni të zbuloni vendndodhjen antike të Apolonisë të themeluar në vitin 588 para Krishtit, aseti numër një i vendit.

Të kalosh një javë në Shqipëri nuk kushton shumë, thekson më tej Lefebvre. Ju mund të gjeni akomodime me 60 euro për person. Përsa i përket hotelit me pamje nga deti, çmimi më i lartë arrin në 90 euro nata, shprehet ai, ndërsa nuk harron të lavdërojë specialitetet vendase si, byrekët apo edhe djathërat dhe verërat.