Skiatorja Lara Kolturi po bën paraqitje të shkëlqyera me Shqipërinë, duke shënuar rezultate të mëdha për ngjyrat kuqezi, në një sport ku më parë vendi ynë arritjet i ka pasur përgjithësisht modeste.

17-vjeçarja italiane, e cila përfaqëson Kombëtaren tonë, regjistroi arritje historike për Federatën Shqiptare të Skive, duke u kualifikuar në finalen sllallomit gjigant dhe të sllallomit, teksa zuri përkatësisht vendin e 23-të dhe të 25-të në eliminatoret që u mbajtën në Are të Suedisë. Kolturi tashmë do të matë forcat në finalet e fundjavës që vjen, duke shpresuar ta përmirësojë edhe më shumë rezultatin e saj.

Lara është shfaqur shumë e lumtur me paraqitjen e saj, teksa në një prononcim për gazetën zvicerane në shqip “Le Canton27.ch”, ajo ndër të tjera deklaroi: “Më konsiderojnë legjendë e re, por unë ende jam shumë e vogël. Po, natyrisht, jam shumë e lumtur për sukseset e fundit në garat me karakter ndërkombëtar. Unë nuk do të ndalem, do të vazhdoj të ngre nivelin tim në fushën e bardhë…”. Më tej Lara Kolturi bëri një premtim: “Unë, perspektivën e kam përpara, meqë jam ende e re. Çka do ta dëshmojë veten, dhe do të bëj maksimumin për vendin që e përfaqësoj. Do të bëj gjithçka që Shqipërinë ta prezantoj denjësisht në arenën ndërkombëtare”, u shpreh skiatorja e talentuar.

Ndërkohë, për Larën u prononcua edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Skive, Elvis Toçi, i cili bëri një krahasim me yjet shqiptarë të futbollit: “Nëse Xhaka dhe Shaqiri me flamur të Zvicrës na bëjnë krenar, pse edhe Lara të mos na bëjë krenar neve me flamur të Shqipërisë?! Jemi krenarë që sot kemi dy Lara që flasin shqip në kupën e botës”, u shpreh Toçi, duke theksuar më pas se me këto rezultate, Lara Kolturi do të jetë konkurruese edhe në Lojërat Olimpike 2026.