Kryetari i bashkisë Fushë Arrëzit, Hil Curri tha për mediat pas mbledhjes së zhvilluar në Shkodër mes kryebashkiakëve të vendit dhe kryeministrit Rama, se nuk e ka parë takimin në aspektin politik pasi sipas tij problematikat e qytetarëve janë më të rëndësishme.

Curri u shpreh se gjatë mbledhjes kanë marrë një garanci duke qenë se vendi është në rrugën e integrimit drejt BE, duke theksuar se nëse ata do të ndihen të parespektuar do të ankohen te kancelaritë evropiane. Më tej ai tregoi se gjatë takimit u vendos që një herë në muaj kryebashkiakët të kenë një komunikim me ministrat përmes platformës Skype për të thelluar bashkëpunimin.

“Asnjë prej nesh nuk e ka parë në aspektin politik sepse problematikat e qytetarëve janë janë më të rëndësishme se disa gjëra të vogla. Morëm një farë garancie duke qenë se po shkojmë drejt BE, edhe bashkëpunimi me ministrat dhe u la të komunikojmë një herë në muaj në Skype me gjithë ministrat dhe kjo ndihmon në bashkëpunimin tonë.

Nuk besoj të ketë përplasje për shkak të politikës pasi garancia më e madhe për ne është BE. Nëse ne ndihemi të parespektuar do ankohemi te gjithë kancelaritë evropiane. Ne jemi përfaqësues të qytetarëve, kur kryeministri dhe ministri i Pushtetit Vendor na thërrasin ne duhet t’i përgjigjemi për hir të interesave qytetare”, u shpreh ai.