Tre automjete janë përfshirë në një aksident në by-passin e Tepelenës poshtë kalasë së këtij qyteti, ku raportohet se kanë humbur jetën katër persona, ndërkohë që në aksident janë përfshirë disa shtetas.

Siç shihet edhe nga pamjet, automjetet janë shkatërruar pothuajse plotësisht.

Sipas raportimeve nga News24, disa persona mbetën të bllokuar në automjete dhe u desh ndërhyrja e forcave zjarrfikëse që të nxirreshin, më pas dy persona sipas policisë janë dërguar në spital.

Të plagosurit janë transportuar për në spitalin e Gjirokastrës për të marrë ndihmën mjekësore.

Mësohet se njëri prej automjeteve ka humbur kontrollin dhe si pasojë është përplasur me dy automjete të tjera që lëviznin në kahun e kundërt.

Ndërkohë, grupi hetimor në vendngjarje po punon për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit

Tepelenë/Informacion paraprak

Rreth orës 19:00, në aksin rrugor Tepelenë-Memaliaj, janë përfshirë në aksident rrugor 3 automjete.

Si pasojë e përplasjes së automjeteve kanë humbur jetën 4 shtetas ende të paidentifikuar dhe janë dëmtuar 2 shtetas të tjerë të cilët janë dërguar për ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal Gjirokastër.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave dhe shkakut të aksidentit.