Në sheshin “Skëndërbej” në Tiranë u organizua sot një trajnim me ushtrime praktike nga Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore për mbrojtjen nga sulmet kimike, biologjike, radiologjike dhe nukleare.

Këto ushtrime praktike u organizuan pas trajnimit dy ditor të zhvilluar nga Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore, “CBRN” (Kimik Biologjik, Radiologjik dhe Bërthamor) në kuadër të projektit P88 për forcimin e kapaciteteve mjekësore për përgjigje ndaj një incidenti CBRN, projekt i “Qendrës së Ekselencës” i Bashkimit Europian, ku marrin pjesë 10 shtete të Ballkanit Perëndimor dhe të Europës Juglindore.

Drejtori i Urgjencës Kombëtare, dr. Skënder Brataj, i pranishëm gjatë demonstrimit që u ndoq nga qytetarë të shumtë, tha se “personeli mjekësor tregoi mënyrën e veshjes, që është shumë e rëndësishme në këto raste. Uniformat janë tipike, izolimi që nga çizmet, dorezat dhe maskat kundër gazit mundësojnë izolimin nga lënda kontaminuese”.

Trajnimi CBRN (Kimik Biologjik, Radiologjik dhe Bërthamor) u zhvillua në 20-21 mars nga trajnerët shqiptarë të Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, nën monitorimin e ekspertëve nga Anglia dhe Norvegjia të kësaj fushe.

Në këtë trajnim morën pjesë personeli mjekësor nga Spitalet Universitare të Tiranës, përfaqësues të spitaleve rajonale e disa bashkiake si: Spitali Rajonal Vlorë, Kukës, Durrës, Berat, Lezhë, Elbasan, Shkodër etj; si edhe përfaqësues nga Instituti i Shëndetit Publik dhe zyra e mbrojtjes nga rrezatimi.

Ky trajnim u mbyll sot me ushtrime praktike në sheshin “Skënderbej”, në të cilin morën pjesë edhe forcat zjarrfikëse.