Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në sallën e Këshillit Bashkiak nxënësit me dhjeta të një tjetër gjimnazi të Tiranës. Bëhet fjalë për ekselentët e gjimnazit “Sami Frashëri”, të cilët bënë pyetje dhe shkëmbyen ide për qytetin. Sipas kryebashkiakut, punët e së ardhmes do të jenë gjithnjë e më të lidhura me talentet dhe profesionet, ndaj kultivimi i një horizonti gjithpërfshirës tek të rinjtë dhe të rejat është çelësi drejt së ardhmes.

“Këtë besoj se ‘Sami Frashëri’ e ka bërë gjithmonë shumë mirë, pra kultivimin e një horizonti përtej hundës dhe egos tënde, të asaj që quhet bashkësi njerëzore dhe qytetin me të cilin i kemi lidhur fatet të gjithë. Fakti që gjeni kohë edhe për art, kulturë, edhe për punë vullnetare, edhe për të bërë muzeun e shkollës apo aktivitete të tjera, më bën vërtet të ndihem shumë krenar që shkolla e ruan ende këtë reputacion”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku shtoi se energjia e mirë dhe pozitive është formula e suksesit. “Nëse e ktheni këtë energji, e cila deri më sot ka qenë energji negative, ku njerëz të të njëjtit brez pengojnë njeri-tjetrin, në një energji pozitive dhe të thoni: ‘bravo të qoftë’, ‘a ka ndonjë gjë që mund të bëj për ty’, ‘jam krenar për ty, ec përpara, mos u dorëzo kurrë’, – pra, nëqoftëse ruani të njëjtën energji të tifozerisë për njeri-tjetrin, atëherë do të keni gjetur formulën e suksesit dhe nuk duhet të lejoni asnjë gjë t’ju ndajë, as partitë, as zanatet, as garat, që padyshim do t’i keni”, tha Veliaj.