Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare Dua Lipa ka gjetur kohën të rikthehet në shtigjet e fëmijërisë, duke vizituar shkollën e saj fillore.

E shoqëruar nga Greg James, prezantuesi i njohur i BBC Radio 1, Dua ka befasuar nxënësit e klasës së gjashtë, të cilët nuk mundën të fshehin dot emocionet dhe gëzimin e tyre.

Vizita në shkollë ka qenë e mbushur me nostalgji dhe kujtime për yllin e muzikës, e cila ka ndarë me të rinjtë përvojat e saj kur ishte vetë në ato banka. Përherë e përkushtuar ndaj rrënjëve të saj dhe duke mos harruar asnjëherë prej nga ka nisur, Dua ka shpjeguar para nxënësve se në shfaqjen e shkollës ajo nuk kishte marrë rolin e saj të dëshiruar.

Mësuesi i saj i vjetër, Rob ka zgjedhur t’i bëjë një surprizë të këndshme këngëtares duke i treguar një klip të së shkuarës ku Dua paraqitet në “rolin që ajo nuk donte”, dhe aty në atë moment të veçantë ajo është ftuar të bëjë audicion për rolin kryesor që dikur ajo aspiroi.

Si një nga figurat më frymëzuese të skenës muzikore ndërkombëtare, Dua Lipa ka dhënë një mesazh të fuqishëm se me përpjekje dhe pasion, ëndrrat mund të bëhen realitet.