Mbledhja e Këshillit Bashkiak të Himarës ka nisur me tensione dhe përplasje mes banorëve me policinë mdhe të pranishmit. Mbështetësit e kryebashkiakut të zgjedhur Fredi Belerit kanë kërkuar largimin nga salla të prefektit të Vlorës, Vangjel Tavos i cili ishte aty bashkë me drejtuesin politik të PS-së në qarkun e Vlorës, Blendi Klosi.

Ndërkohë teksa Tavo i rrethuar nga policia po linte sallën një nga banorët e revoltuar e ka pështyrë në fytyrë.

Ditën e sotme Këshilli Bashkiak i Himarës, do të vendosë se cili do të drejtojë bashkinë, pasi edhe kryebashkiaku i zgjedhur Fredi Beleri edhe kryebashkiaku ne detyrë, Jorgo Goro ndodhen në burg.

Këshilli Bashkiak do të zgjedhë mes dy nënkryetarëve, Blerina Bala dhe Pervin Gjikuria. I zgjedhuri do të drejtojë bashkinë Himarë deri në zgjedhjet e reja. Jorgo Goro u arrestua më datë 23 mars. Ai akuzohet për tjetërsim pronash, rreth 10 mijë hektarë. Ndërsa kryebashkiaku i zgjedhur Fredi Beleri u arrestua dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit dhe akuzohet për korrupsion në zgjedhje.