14 marsi është festa e Ditës së Verës. Kjo festë daton që në kohët antike dhe festohej në qytetin e Elbasanit. Kjo festë tashmë ka krijuar traditën e saj jo vetëm tek banorët e qytetit të Elbasanit, por edhe në qytet tjera të vendit. Në të gjitha qytetet sheshet mbushen me hare dhe gëzim ndërsa qytetarët shijojnë rrezet e diellit me familjarët e tyre në një ditë pushimi.
Ndërkohë në kuadër të kësaj feste mijëra qytetarë nga mbarë vendi nisen drejt Elbasanit për të festuar Ditën e Verës. Të tjerët që nuk arrijnë të shkojnë drejt Elbasanit e festojnë në qytetet e tyre të cilat organizojnë aktivitete të ndryshmë. Kjo festë gjithashtu ndryshon edhe atmosferën në kryeqytet ku mijëra njerëz dalin në qytet dhe shijojnë aktivitet e organizuara nga bashkia dhe shijojnë rrezet e diellit teksa vendosin veroret. Ditën e sotme janë organizuar nw kryeqytet festivali i ballokumes, performanca muzikore, panaire, ekspozim i makinaver retro si dhe karnavalet.
Dita e Verës e ka zanafillën në faltoren Zana e Cermenikës e cila është e ndërtuar në rrethinat e qytetit të Elbasanit. Pra, sipas gojëdhënës, perëndesha e gjuetisë, pyjeve dhe e të gjithë natyrës dilte nga faltorja e saj ditën e 14 marsit. Kjo ditë, ishte dita e fillimit të vitit sipas kalendarit shumë të lashtë të shqiptarëve e cila kremtohej shumë shekuj para se të lindte krishterimi.
Ballokumet janë ëmbëlsira tradicionale e kësaj feste. Në Elbasan gatuhen vetëm në këtë ditë. Kjo i bën ato edhe më të veçanta. Janë ëmbëlsirat që gatuhen me miell misri të situr mirë, gjalpë dhe sheqer të imët. Gjithashtu një detaj i kësaj feste është edhe vendosja në dorë e “verores”, një byzylyk prej fijesh të bardhë dhe të kuqe që lidhet në kyçin e dorës dhe zgjidhet kur të shihet dallëndyshja e parë. Në disa krahina, veroret varen në degë pemësh, kryesisht dafinash, që dallëndyshet t’i marrin e të sjellin mbarësi.