Presidenti Vladimir Putin, pritshëm doli fitues në zgjedhjet presidenciale ruse duke çimentuar kontrollin e tij të rreptë në një fitore që, sipas tij, dëshmoi se Moska kishte pasur të drejtë t’i rezistonte perëndimit dhe të dërgojë trupat e saj në Ukrainë.
Vladimir Putin, një ish nënkolonel i KGB-së, i cili u ngjit në pushtet në vitin 1999, e bëri të qartë se rezultati duhet t’i dërgojë një mesazh perëndimit se udhëheqësit e tij do të duhet të përballen me një Rusi të guximshme, qoftë në luftë apo në paqe, për shumë vjet në të ardhmen. Rezultati i zgjedhjeve do të thotë se Vladimir Putini, 71 vjeç, do të nisë një mandat të ri gjashtëvjeçar dhe nëse e çon deri në fund, do t’ia kalojë edhe Josef Stalinit dhe do të bëhej udhëheqësi më jetëgjatë i Rusisë që prej 200 vitesh.
Ai fitoi 87.8 për qind të votave, rezultati më i lartë ndonjëherë në historinë post-sovjetike të Rusisë. Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe vende të tjera kanë thënë se votimi nuk ishte as i lirë dhe as i drejtë për shkak të burgosjes së kundërshtarëve politikë dhe censurës. Kandidati komunist Nikolai Kharitonov, doli i dyti me pak më pak se 4 për qind të votave i pasuar nga Vladislav Davankov dhe ultranacionalisti Leonid Slutsky.
Vladimir Putin u tha mbështetësve në një fjalim në Moskë se ai do t’i jap përparësi përmbushjes së detyrave që lidhen me atë që ai e quajti “operacionin e posacëm ushtarak ” të Rusisë në Ukrainë dhe do të forcojë ushtrinë ruse.
“Kemi shumë detyra përpara. Por kur jemi të konsoliduar – pavarësisht se kush dëshiron të na frikësojë, të na shtypë – askush nuk ka pasur sukses në histori, ata nuk ia kanë dalë tani dhe nuk do të kenë sukses kurrë as në të ardhmen”, tha ai.
Të frymëzuar nga udhëheqësi i opozitës Alexei Navalny, i cili vdiq në një burg në Arktik muajin e kaluar, mijëra protestuan në mesditë kundër Putinit në qendrat e votimit brenda Rusisë dhe jashtë saj.
Putin u tha gazetarëve se i konsideronte zgjedhjet e Rusisë si demokratike dhe protesta e frymëzuar nga Navalny, nuk pati asnjë ndikim në rezultatin e zgjedhjeve. Në komentet e tij të para për vdekjen e tij, ai tha gjithashtu se vdekja e zotit Navalny kishte qenë një “ngjarje trishtuese” dhe konfirmoi se kishte qenë i gatshëm për një shkëmbim të burgosurish që përfshinte politikanin e opozitës. I pyetur nga rrjeti televiziv amerikan NBC, nëse rizgjedhja e tij ishte demokratike, Putini kritikoi sistemin politik dhe gjyqësor të Shteteve të Bashkuara.
“E gjithë bota po qesh me atë që po ndodh (në Shtetet e Bashkuara)”, tha ai. “Kjo është një fatkeqësi, jo një demokraci”.
“..A është demokratike përdorimi i burimeve administrative për të sulmuar një nga kandidatët për presidencën e Shteteve të Bashkuara, duke përdorur ndër të tjera edhe gjyqësorin?” tha ai, duke duke bërë një referencë të qartë për akzuat ndaj kandidatit republikan, Donald Trump.
Zgjedhjet ruse u mbajtën pak më shumë se dy vjet që kur Putini shkaktoi konfliktin më vdekjeprurës evropian që nga Lufta e Dytë Botërore, duke urdhëruar agresionin në Ukrainë.
Lufta hodhi hijen e saj mbi zgjedhjet treditëshe. Ukraina sulmoi vazhdimisht rafineritë e naftës në Rusi, bombardoi rajonet ruse dhe provoi të depërtojë kufijtë rusë, një veprim që Putini tha se nuk do të lihej pa u ndëshkuar. Presidenti Putin tha se Rusisë mund t’i duhet të krijojë një “zonë të sigurisë” brenda Ukrainës, për të parandaluar sulme të tilla në të ardhmen. Ndërsa rizgjedhja e tij nuk ishte vënë në dyshim duke pasur parasysh kontrollin e tij mbi Rusinë dhe mungesën e ndonjë sfiduesi të vërtetë, ish spiuni i KGB-së donte të tregonte se gëzon mbështetjen dërrmuese të rusëve.
Zyrtarët thanë se pjesëmarrja në zgjedhje arriti në 74.22 për qind në orën 19:00 kur u mbyllën qendrat e votimit, ndryshe nga viti 2018, kur pjesëmarrja ishte 67.5 për qind. Nuk ka të dhënë të pavarur se sa nga 114 milionë votuesit e Rusisë morën pjesë në protestat e opozitës, në mes të sigurisë jashtëzakonisht të rreptë që përfshinte dhjetëra mijëra policë dhe zyrtarë të sigurisë. Gazetarët e agjencisë së lajmeve Reuters panë një rritje të numrit të votuesve, veçanërisht të rinjve, në mesditë në disa qendra votimi në Moskë, Shën Petersburg dhe Yekaterinburg.
Disa thanë se po protestonin, ndonëse nuk kishin ndonjë shenjë të dukshme për t’i dalluar nga votuesit e zakonshëm. Të paktën 74 persona u arrestuan të dielën gjithandej Rusisë, sipas OVD-Info, një grup që vëzhgon goditjet ndaj opozitës. Gjatë dy ditëve të mëparshme, pati disa incidente proteste, pasi disa rusë u vunë zjarrin kabinave të votimit ose hodhën ngjyrë të gjelbër në kutitë e votimit. Kundërshtarët postuan disa foto të fletëvotimeve të prishura me slogane që fyenin Putinin.
Por vdekja e zotit Navalny e ka lënë opozitën pa udhëheqësin e saj më të vendosur, ndërsa personalitete të tjera të mëdha opozitare janë në mërgim, në burg ose të vdekur. Perëndimi e konsideron Putinin si një autokrat dhe një vrasës. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy tha të dielën se Putini dëshiron të sundojë përgjithmonë, ndërsa i cilësoi votimet të paligjshme.
Putini e portretizon luftën si pjesë të një beteje shekullore me një perëndim në rënie, për të cilin ai thotë se e poshtëroi Rusinë pas Luftës së Ftohtë duke ndërhyrë në sferën e ndikimit të Moskës. Zgjedhjet e Rusisë u mbajtën në një periudhë të cilën shefat e shërbimeve perëndimore të zbulimit e cilësojnë një udhëkryq për luftën në Ukrainë.
Mbështetja për Ukrainën është ngatërruar në politikën e brendshme amerikane para zgjedhjeve presidenciale të nëntorit. Megjithëse Kievi rimori territore pas agresionit në vitin 2022, forcat ruse kanë arritur përfitime pas një kundërofensive të dështuar ukrainase vitin e kaluar./VOA