Prej kohësh ka nisur ndërtimi i portit turistik të Vlorës që parashikon transformimin e hapësirës ku ndodhej porti i vjetër industrial në portin më të madh turistik në vend.

Kryeministri Edi Rama ka ndarë video nga punimet në port, ndërsa shkruan se ky port shumë shpejt do t’i japë një tjetër imazh qytetit bregdetar të Vlorës, me jahtet e munguara për vizitorët.

Rama thotë se ku port do e integrojë vendin tonë në rrjetin e lundrimit turistik me 5 yje të Mesdheut, e po ashtu do të ndikojë edhe në rritjen e punësimit, shërbimeve apo të ardhurave.

“MIRËMËNGJES dhe me Portin e Ri Turistik, i cili do ta pasurojë së shpejti peizazhin e Vlorës së Rilindur edhe me jahtet e shumë munguara të vizitorëve, duke e integruar më në fund Shqipërinë në rrjetin e lundrimit turistik me 5 yje të Mesdheut dhe duke hapur burim të ri domethënës rritjeje të punësimit, shërbimeve, të ardhurave nga ekonomia e detit, ju uroj të diel të qetë”, shkruan Rama.

Punimet e plota për ndërtimin e marinës në Vlorë parashikohen që të përfundojnë në vitin 2025, por ajo do të jetë e përdorshme pjesërisht edhe më parë. Të gjitha kostot e këtij projekti do të mbulohen nga kompania koncesionare dhe 30 vite pas përfundimit të ndërtimit porti turistik i kalon shtetit shqiptar.