Pas ngjarjes së rëndë të regjistruar ditën e djeshme në Fier ku humbi jetën Grei Bihuci kolegët e 19-vjeçarit kanë bërë homazhe në vendin e ngjarjes ku humbi jetën i riu. Në lidhje me ngjarjen e rëndë që tronditi vendin ka folur edhe menaxheri i lokalit ku punonte viktima.

Menaxheri i tij shprehet se Grei ka qenë një nga djemtë më të mirë të stafit dhe se nuk kishte sjellje problematike. Ai më tej shtoi se nuk kishin parë asnjë gjë të keqe tek i riu që mund ta çonte në këtë përfundim tragjik për Grein.

“Ishte një nga djemtë më të mirë që kishin në staf, na vjen vërtet keq që u ndodh në vendin e gabuar dhe në momentin e gabuar sepse nuk ishte djalë që mund të ishte negativ apo të sillte probleme si në punë apo dhe në familje, nuk kemi parë asnjë sjelle të keqe që mund ta çonte në këtë përfundim që Grei pati, më shumë nuk kemi se çfarë të themi”, u shpreh menaxheri.

Ditën e djeshme ka mbetur i vrarë në qendër të Fierit, Grei Bihuci dhe i plagosur shoku i tij Olti Serjanaj i cili ndërhyri për evituar konfliktin. Autori i ngjarjes rezulton Florian Muka i cili është arrestuar nga policia. Ndërkohë që ditën e sotme policia e Fierit ka arrestuar dhe një bashkëpunëtor i Mukës.